Ajax i Amsterdamit e mbyll në mënyrën më të mirë një sezon të jashtëzakonshëm.
“Harkëtarët” fituan zyrtarisht titullin kampion në Holandë për herë të 34-t në historinë e tyre, skuadra më e suksesshme në Holandë.
Ekipi i Erik Ten Hag bëri detyrën edhe në javën e fundit ndaj De Graafschap duke fituar me shifrat 1-4, me golat e Schonne, Tagliafico, dhe dygolëshin e Tadic.
Ndërkohë, PSV fitoi 3-1 ndaj Heracles duke përmbysur shifrat, por mbeti 3 pikë pas Ajax në renditje.
Ajax mbyll në mënyrë perfekte një sezon fantastik në të cilin arriti 28 fitore në 34 javë dhe grumbulloi 86 pikë, madje rikuperoi 5 pikë disavantazh ndaj PSV-së në javët e fundit të kampionatit.
Ajax ka fituar edhe Kupën e Holandës pak ditë më parë, ndërsa në Champions vetëm pak sekonda e ndanë nga finalja e madhe.