Ekonomia Gjermane u rikthye në rritje gjatë tremujorit të parë, falë shpenzimeve konsumatore dhe aktivitetit të ndërtimit. Megjithatë, Qeveria paralajmëroi se perspektiva qëndron e zymtë prej konflikteve tregtare. Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 0.4% me bazë tremujore, sipas zyrës Federale të Statistikave.
Me bazë vjetore, ekonomia më e madhe e Europës tregoi rritje me 0.7%. Ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier, tha se të dhënat ofruan pak shpresë, pas 2 tremujorëve të dobët dhe shtoi se është shumë herët për të pasur një perspektivë të qartë. “Konfliktet tregtare janë ende të pazgjidhura. Duhet të gjejmë çdo zgjidhje të pranueshme që mundëson tregtinë e lirë”, tha Altmaier. SHBA dhe Kina i kanë dhënë vrull konfliktit tregtar, ndërkohë që Pekini lajmëroi tarifa të reja ndaj importeve amerikane, 1 javë pasi Washingtoni rriti barrierat ndaj mallrave kinezë.
Të dy vendet janë tregje të rëndësishëm për eksportuesit gjermanë. Donald Trump mund të rrisë gjithashtu tarifat ndaj makinave europiane, çka do të përkeqësonte situatën në Gjermani. Zyra e Statistikave bëri të ditur se ekonomia mori nxitje kryesisht nga ndërtimi dhe rritja e shpenzimeve të familjeve. Investimet e korporatave në makineri dhe pajisje patën gjithashtu rritje, ndërsa shpenzimet shtetërore nuk dhanë ndikim pozitiv.
Zyra e Statistikave konfirmoi tkurrjen me 0.2% të ekonomisë gjermane në tremujorin e tretë dhe stanjacionin në të katërtin. Qeveria përgjysmoi projeksionet ekonomike për vitin 2019, në vetëm 0.5% rritje.