Prej më shumë se 5 muajsh, mijëra banorë të Tiranës, Bathores, Paskuqanit, Kamzës e Institutit po përballen me një situate tejet të vështirë për sa i përket qarkullimit të mjeteve por edhe kalimtarëve.
Kjo për shkak të vonesës në punime për shtrimin e linjës së ujësjellësit që nis nga rruga Dine Hoxha e përfundon në fund të rrugës Azem Galica.
Autoriteti kontraktor, që është ndërmarrja Ujësjellës Kanalizime e Bashkisë Tiranë ia ka besuar ndërtimin e kësaj linje ujësjellësi kompanisë Sterkaj sh.p.k dhe projekti do kushtojë 1.9 miliardë lekë.
Edhe pse projekti duhet të kishte përfunduar në fund të muajit shkurt, ai nuk ka përfunduar ende dhe mijëra automjete që përdorin rrugën e lartpërmendur duhet të përballen çdo ditë me gropa gjatë gjithë aksit disa kilometra.
Kjo shkakton jo vetëm vonesa në qarkullim por edhe dëme të shumta të mjeteve që kanë një kosto të madhe financiare për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Projekti po zhvillohet në rrugën që kishte pak kohë që ishte asfaltuar dhe niste nga ish-uzina Dinamo deri te Sheshi Shqiponja.
Ndërkohë që kreu i Bashkisë Tiranë, Veliaj, shfaqet ditë pas dite në media duke mbjellë pemë e duke prezantuar projekte e rrugë të asfaltuara, mijëra drejtues mjetesh vijojnë të dëmtojnë makinat duke kaluar në këtë aks.