Shkarkohet nga detyra, drejtuesi i Prokurorisë së Gjirokastrës, Arben Pasho. Ai nuk ishte i pranishëm në seancë gjatë vendimit, por u përfaqësua nga avokati i tij.
Në seancën e 13 majit, pozita e drejtuesit të Prokurorisë së Gjirokastrës, duket se u rëndua për shkak të marrëdhënieve të tij financiare me një biznesmen të denoncuar tre herë për pastrim parash, por që Prokuroria e Gjirokastrës i kishte mbyllur hetimet në të tre rastet.
Sipas Pashos, hetimet ishin mbyllur për shkak të mungesës së provave.
Pasho e ka drejtuar Prokurorinë e Gjirokastrës që prej vitit 2011, ndërkohë që më herët ka punuar si prokuror edhe në Sarandë e Tepelenë.
Relatori Olsi Komici tha se raporti i ILDKPI-së për Pashon nuk kishte konstatuar probleme të pasurisë apo të konfliktit të interesit. Ndërsa hetimi i KPK-së ka konstatuar disa probleme.
Sipas relatorit, prokurori Pasho ka pasur burime të ligjshme për blerjen e apartamentit 78.8 m2 në lagjen “11 Janari” në Gjirokastër në vitin 1996 në shumën e 2 milionë lekëve.
Si burim të krijimit të kësaj pasurie, prokurori ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga shitja e një pjesë të objektit të ish-hetuesisë në vlerën e 1.7 milionë lekëve dhe kursime në shumën e 300 mijë lekëve. Por komisioni ka evidentuar pasaktësi në pasqyrimin e vlerës së apartamentit, pasi Pasho e ka deklaruar bazuar në çmimin e tregut dhe jo në atë të vërtetin.
Mospërputhje komisioni ka gjetur edhe në deklarimin e shumës për blerjen e një gomoneje peshkimi. Gomonia është deklaruar e blerë për 2 mijë euro së bashku me një person tjetër.
Por sipas relatorit, gomonia ka rezultuar e regjistruar vetëm në emër të prokurorit Pasho dhe e blerë në shumën e 1000 eurove.