Vendosni fjalën kyçe....

Një gënjeshtër tjetër e Kryeministrit në Opinion, ndoshta e fundit


Nga Andi Bejtja

Mbëmë, në një debat me Kryeministrin Edi Rama në emisionin Opinion të Blendi Fevziut, e pyeta Kryeministrin nëse kishte dijeni në lidhje me një gjyq të humbur nga qeveria shqiptare me Agon Channel në një shumë mbi 100 milion euro.

Kryeministri u përgjigj se nuk mund të fliste për këtë pasi e pengonte një klauzolë konfidencialiteti.

Jo vetëm unë por dhe shqiptarët nuk morën një përgjigje. Madje sot po të flasim në gjuhë juridike, mund të themi se ishte një devijim i plotë nga e vërteta.

I pasqaruar mirë nga kjo përgjigje e Kryeministrit, jo vetëm unë, por gjithë publiku Shqiptar, m’u desh për pak minuta të bëhem edhe jurist. U futa në faqen e ICSID dhe pashë nenet e Konventës, e cila është e thjeshtë dhe e kuptueshme për këdo.

Si konkluzion, më rezulton që secila nga palët në arbitrazh është e lirë sipas vullnetit të saj të bëjë publike në çdo moment vendimin e gjykatës.

Pra Kryeministri i vendit, nqs donte të ishte transparent me shqiptarët, që fatkeqësisht do të paguajnë këtë dëm të vendosur nga Gjykata ndërkombëtare ICSID, i gjithi si pasojë e veprimeve dhe hakmarrjes së tij personale ndaj Agon Channel dhe biznesmenit Francesco Becchetti, kishte mundësi ta bënte këtë që mbrëmë.

Madje sipas Konventës, vendimi i arbitrazhit ICSID është një vendim përfundimtar, menjëherë i ekzekutueshëm dhe i pa apelueshëm në rrugë të zakonshme, përveç rasteve të jashtëzakonshme të lidhura me difekte të rënda proceduriale dhe me formimin e rregullt të gjykatës, por që nuk aplikohen për rastin në fjalë. 

Me sa duket kjo ishte një gënjeshtër tjetër nga shumë gënjeshtra të tjera që u thanë mbrëmë nga Kryeministri në Opinion.

Meqë nuk është problem konfidencialiteti ndoshta mund të kthehemi prapë në Opinion, Kryeministri të sjellë vendimin me shifrën e detajuar përkatëse dhe të bëjmë transarencë në sy të opinionit publik shqiptar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *