Beogradi po i pret me trazira zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen të dielën në disa komuna serbe të Mitrovicës Veriore.
Presidenti Aleksandër Vuçiç deklaroi për televizionin shtetëror RTS, se ka marrë informacione për arrestimin e pjesëtarëve të komunitetit serb në vend, mes tyre edhe agjentë të policisë.
‘Të hënën pritet të arrestohen 26 policë nga veriu i Kosovës dhe 15 shtetas të tjerë me pretekstin e pjesëmarrjes në afera korruptive dhe pretendime të tjera të pabaza. Kjo bëhet me qëllim që Mitrovica të mbetet e pambrojtur dhe që ndaj popullit tonë të kryejnë gjëra të ndyra’, ka thënë presidenti serb.
Presidenti Vuçiç tha se Serbia i ka kuptuar synimet e Kosovës për ta vënë të gjithë veriun nën kontrollin e vet, ndërsa paralajmëroi se përgjigjja do të vijë e përmbajtur por në mbrojtje të popullit serb.
Duke komentuar rezolutën që Parlamenti i Kosovës miratoi një ditë më parë për gjenocidin dhe krimet e regjimit serb të Millosheviçit në vitet 98-99, Vuçiç tha se disa kombe të Ballkanit e kanë të vështirë të shohin nga e ardhmja.
‘Kanë urrejtje për popullin serb, edhe pse gjithmonë thonë se janë vetëm kundër individëve që kryen krime kundër popullit të tyre’, ka komentuar Vuçiç.
Presidenti serb shtoi se Kosova me rezolutën e fundit për gjenocidin serb tregoi se nuk do që të mbyllë rrethin vicioz që vazhdon t’i mbajë dy palët larg pajtimit të mundshëm.
Vuçiç u shpreh se mbetet i gatshëm t’i drejtohet parlamentit serb për zgjidhjen e konfliktit të ngrirë me Prishtinën zyrtare, megjithëse në rast të një referendumi, populli serb do të ishte kundër propozimit të tij.