Kryetari i PD-së Lulzim Basha, ishte i ftuar në një darkë me anëtarë të parlamentit dhe Dhomës së Lordëve në Londër.
Në qendër të diskutimeve ishte siguria dhe stabiliteti në Europën Juglindore dhe kriza politike në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Basha shprehu mirënjohjen për ndihmën e Britanisë së Madhe për kapërcimin me sukses të sfidave jetike për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, në veçanti, në luftën e Kosovës dhe procesin e pavarësimit të saj, në konfliktin e armatosur në Maqedoni e Marrëveshjen e Ohrit dhe, së fundmi, Marrëveshja e Prespës që shërben për të konsoliduar perspektivën afatgjatë euroatlantike të rajonit, duke garantuar anëtarësimin e saj në NATO.
Kryedemokrati ndau me pjesëmarrësit, qëndrimin e PD-së se përpjekjet dhe diskursi mbi kufijtë dhe shkëmbimin e territoreve shkon kundër këtyre arritjeve, duke kërcënuar paqen dhe stabilitetin rajonal dhe minuar perspektivën europiane të vendeve dhe popujve të rajonit.
“Autokratët e korruptuar përbëjnë një kërcënim për demokracinë dhe stabilitetin. Kriza e thellë ne Shqipëri ilustron qartë se pa demokraci dhe sundim të ligjit nuk mund të ketë stabilitet dhe as zhvillim ekonomik.”- tha kreu i opozitës.
Kryedemokrati, i njohu bashkëbiseduesit me propozimet e PD dhe opozitës së bashkuar për daljen nga kriza përmes një procesi të lirë zgjedhor nën kujdesin e një qeverie tranzitore, e cila do të përmbushë të gjitha parakushtet e ngarkuara me ligj për të gararantuar votën e lirë.
“Vetëm një qeveri e dalë nga vota e lirë mund të luftojë krimin e organizuar që e ka shndërruar Shqipërinë, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit, në një bazë operacionale të rrjeteve kriminale, që veprojnë nga Amerika në Europë dhe Lindjen e Mesme.
Basha shprehu bindjen se me ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar dhe partnerëve strategjikë euroatlantikë, Shqipëria do ta kapërcejë këtë krizë dhe do t’i japë fund tranzicionit të tejzgjatur.
Në këtë darkë, ishin të pranishëm Lordi George Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe anëtar i Dhomës së Lordëve, deputetët Crispin Blunt, Sir Mark Lyall Grant, dhe Gavin Williamson, anëtar i Parlamentit Britanik dhe lidershipit të Konservatorëve dhe ish-ministër i Mbrojtjes. Gjithashtu në darkë ishte i pranishëm edhe Sir Hugh Orde, ish Kryedrejtuesi i Shërbimeve të Sigurisë në Irlandën e Veriut.