Një vit më parë, në janar 2018, një fushatë agresive televizive përhapi lajmin se Shqipëria kishte fituar gjyqin në arbitrazh me biznesmenin Francescco Bechetti.
Lajmi mori dhenë asokohe në të gjitha televizionet, ndonëse ishte një spekulim.
Aq i fortë ishte ky spekulim, sa sot, kur çështja e arbitrazhit është mbyllur përfundimisht, lajmin se këtë gjyq e ka fituar Bechetti, shumë lexues e shihnin me dyshim.
Pikërisht sepse spekulimi i një viti më parë kishte bërë punën e vet, i kishte mashtruar shqiptarët se qeveria kishte fituar betejën me Bechettin në Arbitrazh.
Por kush ishte zyrtari shqiptar që u bë burimi i këtij spekulimi?
Rezulton se ish-ministri i Energjisë Damian Gjiknuri ishte i pari zyrtar që informoi në mënyrë spekulative dhe mashtroi publikisht se Shqipëria kishte fituar gjyqin me Bechetin.
Në një postim në Facebook më datën 25 janar 2018 (postim i fshirë më pas), Gjiknuri deklaronte:
“Një lajm shumë i mirë
Të dashur miq! Shqipëria fitoi një përballje të rëndësishme në Arbitrazhin Ndërkombëtar të ICC kundrejt shoqërisë Hydro S.R.L. Gjej rastin të shpreh një falënderim të veçantë për ekipin që përfaqësoi Shqipërinë në arbitrazh: juristët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për punën e bërë dhe Avokaturën e Shtetit, e cila me profesionalizëm udhëhoqi me sukses këtë proces. Vendimi i arbitrazhit konfirmoi edhe njëherë vërtetësinë e asaj çka ne kemi deklaruar që në fillim për koncesionin e hidrocentralit të Kalivaçit. Kjo vepër e rëndësishme energjetike tashmë do të mund të konkretizohet nga një investitor serioz.”
Madje ministria e Energjisë asokohe bëri dhe një njoftim zyrtar, të cilin mund ta lexoni duke klikuar këtu.
Nuk vonoi shumë dhe juristët e Bechettit, shpërndanë një deklaratë ku kundërshtonin Gjiknurin, por deklarata e avokatëve nuk u raportua gjerësisht, mashtrimi i Gjiknurit kishte marrë dhenë ndërkohë. (Lexoje reagimin e Bechettit këtu).
Sot rreth një vit e gjysmë më vonë, ndërsa çështja në arbitrazh rezulton e përfunduar (më datën 25 Prill 2019), lajmësi i dikurshëm, Damian Gjiknuri, rezulton se ka fshirë postimin në facebook dhe nuk pipëtin fare mbi këtë çështje.
Zoti Gjiknuri si ministër i Energjisë, njihej për afërsinë e tij me dy biznesmenë: Gerian Kuka dhe Samir Mane.
Ky i fundit është aksionar në grupin “Klan” dhe kontribues në televizionin “Top Channel”.
Sulmi që nisi ndaj Bechettit në vitin 2014, dyshohej se kishte për ideatorë dhe nxitës pikërisht dy grupet e interesit që kanë në pronësi dy televizionet kombëtare TV-Klan dhe Top-Channel.
Gjiknuri spekulonte me entuziazëm se gjasme qeveria kishte fituar me Bechettin, por sot, zoti Gjiknuri nuk duket kurrkund.
Në këto kushte, zoti Gjiknuri ose detyrohet të japë një shpjegim për çështjen, ose i duhet të kërkojë ndjesë publike, për mashtrimin e rëndomtë publik që ai bëri një vit e gjysmë më parë. / Hashtag.al