Kryeministri i Kosovës, Haradinaj, ka thënë se Gjermania e ka dhënë miratimin e saj për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe kjo pritet të ndodhë shumë shpejt.
Kreu i qeverisë e ka dhënë njoftimin në faqen e tij në Facebook ku shkruan se Kosova ka themeluar ekipin e saj për të bashkëpunuar me qeverinë gjermane.
“Gjermania edhe njëherë konfirmon mbështetjen e Kosovës për liberalizimin e vizave.
Në publikimin e radhës të FAZ, theksohet mbështetja e Ministrit të Brendshëm të Gjermanisë, Seehofer për procesin e liberalizimit të vizave, duke e konsideruar të justifikueshme kërkesën e kosovarëve për të lëvizur të lirë dhe duke këmbëngulur që Kosova përmbushë kriteret e nevojshme për këtë proces.
Një mbështetje të madhe këtij procesi i ka dhënë edhe deputeti i Partisë së Gjelbër Manuel Sarrazin, derisa në korrik të 2018-tës, Komisioni i BE-së konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat, e po të njëjtin vlerësim vendi e mori edhe nga Parlamenti Europian.
Tani Kosova ka krijuar ekipin e saj për të bashkëpunuar me Qeverinë gjermane, që ky proces të finalizohet sa më parë.
Kosovarët, tashmë e kanë marrë PO-në e madhe nga Gjermania, për ta jetësuar të drejtën e tyre për lëvizje të lirë.” – shkruan Haradinaj në faqen e tij në Facebook.