Tre turistë anglezë të cilët kishin humbur kontaktet mes tyre ditën e djeshme në zonat turistike të Thethit, janë ritakuar sërish ditën e sotme falë ndihmës së banorëve të zonës dhe Policisë së Shkodrës.
Pas një pune të -koordinuar, banorët e zonës dhe Policia e Shtetit ranë në gjurmët e tre turistëve. Turistët anglezë gëzojnë shëndet të plotë dhe aktualisht ndodhen të akomoduar në një nga bujtinat e zonës.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shkodrës dhe banorët e zonës u vijnë në ndihmë turistëve anglezë në zonat turistike malore të Thethit. Tre turistë anglezë, të cilët ishin duke eksploruar zonat turistike malore të Thethit, mbrëmjen e djeshme kanë humbur komunikimin mes tyre në zonën e quajtur Qafë Thore dhe kanë kërkuar ndihmën e Policisë
Shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me banorët e zonës, janë vënë në kërkim të turistëve dhe pas disa orë kërkimesh, tre turistët anglezë u gjetën në kushte të mira shëndetësore dhe momentalisht gjenden në fshatin Bogë, ku janë strehuar në bujtinë.
Policia e Shkodrës gjen rastin të falënderojë banorët e zonës, për sensibilizimin, angazhimin dhe humanizmin e treguar në disa raste të ngjashme gjatë muajve të fundit, ku së bashku u kanë ardhur në ndihmë turistëve që janë gjetur në vështirësi, për shkak të humbjes së rrugës apo kontakteve.