Ermal Mamaqi dhe Elvana Gjata po luajnë një tjetër komedi me komedinë e tyre “Dy gisht mjaltë”.
Prej dy ditësh publiku shqiptar është bombarduar me titujt e mediave për pjesmarrjen e tyre ne Cannes në festivalin e njohur të filmit që po zhvillohet këto ditë.
Madje për tu bërë e gjitha më spektakolare ata kanë shpërndarë një video në tapetin e kuq duke ngjitur shkallët e festivalit. Ajo video duhet parë dhe riparë, jo për faktin sepse aktorit iu morën enkas këmbët, por për mënyrën se si Ermali dhe Elvana impostohen në këtë farsë.
Ideja që kërkohet të jepet është se ata po parakalojnë aty ku shkelin gjithë yjet e filmit botëror që janë pjesmarrës në festivalin më prestigjoz të globit, ose që janë aty të ftuar prej organizarorëve. Parodia i kapërcen kufijtë e çdo imagjinate.
Të dy shqiptarët kanë ngritur enkas për këtë frakët dhe fustanët e ballos (njesoj si pese valixhet e Jonida Maliqit ne Eurosong) kanë arritur të marrin me qera një kamera, kanë vënë dikënd pas turmës që t’i filmojë dhe me një seriozitet qesharak marshojnë mbi tapet, madje madje, përshëndesin dhe publikun që qëndron në dy anët e qilimit të kuq, sikur francezët apo turistët e grumbulluar aty, jo vetëm i njohin por edhe çmenden pas famës së dy yjeve shqiptarë.
Kjo komedi e neveritshme që buron prej manisë për tu hequr ata që nuk jemi dhe nga nevoja për të gënjyer shqiptarët për një famë që nuk ekziston, ka vetëm një të vërtetë. Po, Elvana dhe Ermali kanë qenë në Kanë.
Por ata nuk kanë pasur ashtu sikurse thuhet aspak lidhje me festivalin. Ata kanë qenë në një nga aktivitetet e shumta komerciale që zhvillohen përreth tij. Ai quhet “Le Marshe du film” ku mund te shkojë kush të dojë , pa seleksionim, për të promovuar krijimin e tij.
Kundrejt një tarife secili mund të akreditohet aty, të projektojë kundrejt një çmimi filmin e vet ne salla që nuk kanë lidhje me festivalin, të marrë apo të japë broshura në stenda. Një abonim e ditor për të marrë baxhën e pjesmarrjes në këtë treg vjen 50 euro për çdo person, sipas faqes online të këtij pazari (shiko poshtë).
Kjo është dhe komedia e komedisë “Dy gisht mjaltë”. Ermali dhe Elvana kanë udhëtuar drejt bregut të kaltër, në rivierën franceze për pak tregëti dhe për pak turizëm.
Por e gjitha kjo, i është servirur publikut shqiptar si një prezantim i “Dy gisht mjaltë” në festivalin e Kanës, madje duke shpërndarë edhe video të marshimit karambolesk të protagonistëve mbi tapetin e kuq.
VINI RE: Ky shkrim është pronësi intelektuale e Lapsi.al