Kryeministri grek Aleksis Tsipras, pranon se sillet me kryeministrin Edi Rama sipas metodës “shkopi dhe karrota”.
Gjatë një interviste për “Financial Times”, ku foli për zgjidhjen e çështjes së emrit me Maqedoninë, e cila kishte mbetur pezull për 27 vite, Tsipras foli edhe për marrëveshjen me Shqipërinë.
Tsipras tha se në të njëjtën logjikë, do të ishte edhe trajtimi i marrëdhënies së vështirë greko-shqiptare, duke përfshirë kufijtë detar, ligjin teknik të luftës që ka ekzistuar mes dy vendeve që nga viti 1945 dhe statusin e minoritetit etnik grek, aktualisht të ngecura pas një dialogu premtues të nisur në nëntor të 2017-s.
Tsipras thotë se i ka shpjeguar Edi Ramës, se Tirana duhet të mbrojë më mirë të drejtat e minoritarëve grekë, ose ndryshe rruga e vendit drejt anëtarësimit në BE do të mbyllet.
“Nëse Shqipëria përmbush detyrimet e saj për të drejtat e njeriut, Greqia – dhe unë personalisht – do të mbështesim një vendim të mundshëm në qershor për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për të filluar proceset e pranimit të BE-së së bashku. . . Por ne nuk do të rrezikojmë procesin e pranimit për Maqedoninë e Veriut, nëse ka bërë përparim. Kjo do të ishte e padrejtë. “, janë fjalët e kryeministrit grek i cili më pas përdor shprehjen e famshme.
Tsipras thotë se Greqia nuk dëshiron të fitojë reputacion për dhënien leksione të tjerëve, duke hequr peshën e vet ose duke vendosur kushte tepër të ngurta për vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE.
“Popujt e Ballkanit kanë nevojë për një nxitje të reformave. Është si shkopi dhe karrota. Ata kanë nevojë për karrota, nëse gjithçka duket e errët”, thotë Tsipras.