Kandidati i Bindjes Demokratike për Lezhën në zgjedhjet lokale të qershorit, Salvador Kaçaj, është tërhequr nga nga gara për këtë forcë politike.
Ai ishte emri i propozuar nga partia e themeluar nga Astrit Patozi, por ka dhënë dorëheqjen nga kandidimi i tij duke e quajtur procesin farsë elektorale.
Kaçaj e ka bërë të ditur tërheqjen e tij në një letër dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku bën të ditura edhe shkaqet e këtij vendimi.
Deklarata e Kaçajt
Tiranë, më 20.05.2019
Drejtuar: Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
NJOFTIM MBI TËRHEQJEN NGA KANDIDIMI
Gjatë gjithë jetës sime profesionale dhe politike kam qenë pjesë e shumë garave, shumicën e tij të cilave i kam fituar. Edhe propozimin për të përfaqësuar Bindjen Demokratike në 30 Qershor e vlerësova si një mundësi për të marrë pjesë në një garë për të mirën e Lezhës.
Disa rrethana dhe informacione gjatë këtyre ditëve më kanë nxitur të rishikoj vendimin për të qenë kandidat në zgjedhjet e 30 Qershorit nën siglën e Bindjes Demokratike.
U jam mirënjohës qytetarëve dhe miqve të vërtetë që më bënë të kuptoj se ajo ku kisha pranuar të hyja nuk ishte një garë e vërtetë, por farsë në shërbim të pushtetit të Edi Ramës.
Unë nuk mund të shërbej si fasadë e përpjekjes për të rikthyer në Shqipëri një regjim një partiak, të përzier me krimin.Është bindja ime më e thellë se zgjedhjet farsë, pa opozitën e vërtetë në 30 Qershor do të ishin shkatërrimtare për qytetarët e Lezhës dhe tëtëgjthë Shqipërisë.
Jo gjithmonë kam përkrahur vendimet politike të Partisë Demokratike, por gjykoj se beteja e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme është e drejtë dhe duhet përkrahur pa asnjë rezervë.Kjo e bën sot Partinë Demokratike të vetmen alternativë që përfaqëson realisht vlerat europiane.
Për këto arsye, deklaroj largimin nga Bindja Demokratike dhe tërheqjen time nga kandidimi për Bashkinë e Lezhës, duke iu bashkuar kauzës së Partisë Demokratike dhe opozitës për mbrojtjen e demokracisë deri në fitore.
Me respekt,
Salvador KAÇAJ