Vendosni fjalën kyçe....

867 mijë shqiptarë me leje qëndrimi në BE, një e treta e popullsisë


Thuajse një e treta e popullsisë shqiptare ka zgjedhur të jetojë dhe punojë në një nga shtetet e BE-së. Eurostat ka publikuar të dhënat sot të dhënat mbi lejet e vlefshme të qëndrimit të qytetarëve jo-europianë, duke i kategorizuar sipas arsyes pse është dhënë kjo leje.

Mbi 867 mijë shqiptarë, sa një e treta e popullsisë që jeton sot në vend, kanë qenë të pajisur me një leje të tillë në 2017-n, vit i fundit me të dhëna të përditësuara nga të gjitha shtetet anëtare.

Greqia dhe Italia janë shtetet që kanë lëshuar pjesën më të madhe të këtyre lejeve, plot 94% të totalit të tyre. Pjesa tjetër janë lëshuar nga Gjermania, 3% e totalit, ndërsa në Belgjikë, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar janë lëshuar përkatësisht nga 1% e lejeve të tjera të dhëna për shqiptarët nga vendet e  BE-së.

Po cilat janë arsyet pse janë lëshuar këto leje?

461 mijë shqiptarë janë pajisur me leje qëndrimi për arsye familjare. Kjo përbën rreth 53% të totalit të lejeve. Më pas renditen lejet e dhëna për punësim.

Mbi 185 mijë shqiptarë ishin të pajisur me leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së për arsye të punësimit. Italia zë pjesën më të madhe të këtyre lejeve, 75% të tyre, duke u ndjekur nga Greqia me 22% . Gjermania përgjigjet për 2% të këtyre lejeve.

Me leje qëndrimi për arsye punësimi ishin pajisur në 2017-n rreth 3400 individë në Gjermani. Në krahasim me një vit më parë numri i të pajisurve me leje për punë ishte më shumë se dyfishuar.

Për arsye shkollimi, Eurostat ka të regjistruara 6,749 leje qëndrimi. Lejet e qëndrimit për arsye shkollimi mbizotërojnë në Itali me 39% të totalit të lejeve për këtë kategori dhe 29% në Gjermani. Mbretëria e Bashkuar, Austria dhe Franca kanë dhënë përkatësisht nga 7% të totalit të lejeve të kësaj kategorie.

Ndërsa Greqia, edhe pse ka 44% të totalit të leje të lëshuara, përgjigjet vetëm për 2% të leje të qëndrimit për arsye shkollimi.

Një pjesë e shqiptarëve të pajisur me leje qëndrimi kanë marrë status refugjati ose kanë përfituar mbrojtje sociale. Në 2017-n Eurostat përllogariti se ishin 2533 individë nga Shqipëria të pajisur me leje qëndrimi për këtë arsye.

Rreth 45% e këtyre leje ishin dhënë nga Franca, apo 455 e totalit të kësaj kategorie, dhe 25% nga Belgjika, duke u renditur kështu si dy shtetet kryesore që kanë dhënë më shumë statusin e refugjatëve për shqiptarët. Më pas renditet Italia me 11% dhe Gjermania me 9%. Ndërsa, 4% e tyre janë dhënë nga Mbretëria e Bashkuar.

Pothuaj po aq leje janë dhënë azilkërkuesve. Sipas Eurostat 2478 leje janë dhënë për arsye të mbrojtjes sociale. Kjo leje ju lëshohet të gjithë azilkërkuesve që nuk e kanë marrë ende statusin e refugjatit. Franca ka lëshuar gjatë 2017 rreth 2000 leje të tilla, ndërsa për 2018-n numri i leje për mbrojtje arriti në 2500.

Franca po kthehet në një nga destinacionet kryesore të azilkërkuesve nga Shqipëria, pas Gjermanisë, e cila ka politika më strikte. Në Gjermani vetëm 262 shqiptarë u pajisën me leje për arsye të mbrojtjes sociale, gati 10 herë më pak se në Francë.

Megjithatë Bashkimi Europian ka pajisur edhe 208 mijë shqiptarë të tjerë me leje qëndrimi, por që nuk ka klasifikuar arsyen pse është lëshuar ajo leje qëndrimi.

Rreth 91% e këtyre leje janë lëshuar në Greqi, pasuar nga Italia (6900 leje ) dhe nga Gjermania (6100 leje) me përkatësisht 3%. Ndërsa në Belgjikë dhe Francë janë lëshuar përkatësisht 1% e këtyre lejeve.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *