Vendosni fjalën kyçe....

Gjysma e ministrave në Austri u dorëhoqën për shkak të Herbert Kickl


Ndërkohë që gjithë ministrat e tjerë të Partisë së Lirisë në Austri kanë dhënë dorëheqjen, ministri i Brendshëm Herbert Kickl nuk ka pranuar ta bëjë këtë.

Si rezultat, kancelari austriak Sebastian Kurz ka propozuar shkarkimin e tij, sikurse shkruan “RT“.

Kickl është anëtar i Partisë së Lirisë të drejtuar nga Heinz-Christian Strache, zv.kancelari austriak të cilit iu publikua videoskandali me oligarken ruse.

Kurz argumentoi se puna e Kickl mund të mbikëqyret nga një i emëruar jo politik derisa të mbaheshin zgjedhjet e reja.

Kancelari Kurz tha se Kickl si ministër i brendshëm, nuk mund ta mbikqyrte siç duhet një hetim ndaj udhëheqësit të partisë së tij. Kickl nga ana tjetër, e ka akuzuar Kurz se ka nisur rrëmbimin e pushtetit në emër të partisë së tij.

Presidenti Federal Alexander Van der Bellen ka fuqinë për ta shkarkuar Kickl. FPO premtoi tërheqjen e të gjithë ministrave të tyre nga qeveria nëse kjo do të ndodhte dhe kjo ndodhi. Të gjithë ministrat e partisë së ekstremit të djathtë dhanë dorëheqjen pas shkarkimit të ministrit të Brendshëm.  Kickl e akuzoi Partinë Popullore Austriake të Kurz-it se është e “etur për pushtet” dhe se ka nisur një fushatë kundër partisë së tij. Ministrat e Partisë së Lirisë nuk u dorëhoqën menjëherë pas publikimit të videoskandalit, të liderit të tyre Heinz-Christian Strache, por vetëm pas shkarkimit të Kickl. Zgjedhjet e reja priten të mbahen në shtator.

Çfarë dimë për videon?

Një video u botua nga mediat gjermane të premten, por nuk dihet se kush e ka regjistruar atë. Në video shfaqet Strache dhe Johann Gudenus – gjithashtu një politikan i Partisë së Lirisë. Këta të dy shihen duke pirë dhe duke biseduar me një grua, e cila pretendon se është një shtetase e pasur ruse që kërkon të investojë në Austri.

Gruaja në video ofrohet për të blerë një pjesë prej 50% të gazetës austriake Kronen-Zeitung dhe të ndryshojë qëndrimin e saj redaktues për të mbështetur Partinë e Lirisë.

Në këmbim, Strache tha se ai mund t’i japë asaj kontrata publike, duke shpjeguar se ai donte të “ndërtonte një peizazh mediatik si Victor Orban”, të përshkruar nga kritikët si një udhëheqës autoritar.

Zëvendëskancelari gjithashtu spekulon se marrja e Kronen-Zeitung nga Rusia mund të rrisë mbështetjen për partinë në 34%.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *