Pas humbjes së turpshme ndaj Napolit, largimi i trajnerit Spaleti nga Interi është thuajse i sigurt. Drejtuesit e klubit kanë nisur gjuetinë dhe sipas mediave sportive në vendin fqinj, drejtori Marota po bisedon me Konten, i cili sipas të gjitha gjasave do marrë drejtimin e zikaltërve.
Klubi ka vite që nuk është në gjendje të luftojë për titullin kampion dhe Konte shihet si njeriu i duhur për ta kthyer Interin në nivele të larta.
Në fundjavë Interi luan ndeshjen më të rëndësishme të sezonit duke qenë se një hap fals ndaj Empolit mund t’i kushtojë ekipit gjithë sezonin pasi rrezikohet pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve.
Sfida e së dielës do përcaktojë edhe shpenzimet që do bëjnë drejtuesit e klubit në merkato duke qenë se mbetja jashtë Ligës së Kampionëve do kushtojë edhe eurot që do shpenzohen.
Gjithsesi pavarësisht kësaj, ditët në vijim pritet që ish-lojtari dhe trajneri i Juventusit, Konte, të marrë përsipër drejtimin e Interit.