Vendosni fjalën kyçe....

Tërhiqet nga gara kandidati i dytë i Bindjes Demokratike: Nuk ishte firma ime!


Pas Salvador Kaçajt, një tjetër kandidat i Bindjes demokratike është tërhequr nga kandidimi për zgjedhjet lokale.

Bëhet fjalë për kandidatin për bashkinë e Kavajës, Bledar Sinella. Ky i fundit ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për t’u çregjistruar nga gara me arysetimin se ai as nuk kishte firmosur në dokumentet e regjistrimit.

“Lutem ndjekjen e procedurave ligjore për mosregjistrimin apo çregjistrimin tim si kandidat, përsa kohë unë nuk kam shprehur dakordësinë time për kandidim dhe nuk kam plotësuar personalisht deklaratën e kandidimit për Kryetar Bashkie apo Formularin e Dekriminalizimit.”, shkruan Sinella.

Në letrën dërguar KQZ-së, Sinella shkruan se është e vërtetë që është kontaktuar nga Bindja Demokratike për kandidimin në Kavajë, por ai ka pranuar parimisht pasi të mblidhte firmat e qytetarëve. Por më pas në media, ka mësuar se ishte kandiduar zyrtarisht për bashkinë e Kavajës.

“Disa ditë më parë, jam kontaktuar nga Bindja Demokratike për të vlerësuar mundësinë për kandidimit tim për Bashkinë Kavajë. Kam shprehur dakordësinë në parim, me premtimin se do të diskutoja përfundimisht mbi këtë mundësi në një moment tjetër, pasi të mblidhja edhe firmat mbështetëse të qytetarëve.

Në media jam njohur me faktin se Bindja Demokratike e ka depozituar kandidaturën time në KQZ, pa marrë dakordësinë time përfundimtare mbi këtë veprim dhe pa më dhënë mundësinë që të testoja mbështetjen nëpërmjet nënshkrimit të jo më pak se 1 % të listës së zgjedhësve, siç ligji e kërkon. Për këtë arsye, deklaroj me përgjegjësi të plotë ligjore se unë nuk kam paraqitur asnjë dokument të nënshkruar prej meje as në KZAZ Kavajë nr. 42, as në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Nisur nga mungesa e mbështetjes nëpërmjet nënshkrimit të jo më pak se 1 % të listës së zgjedhësve, si dhe situatës politike në vend, duke qenë i ndërgjegjshëm mbi pasojat që ka për Kavajën dhe Shqipërinë zhvillimi i zgjedhjeve pa opozitën, gjykoj se unë nuk mund të bëhem pjesë e këtyre zgjedhjeve.”, shkruhet në letrën e firmosur nga Sinella.

Mes të tjerash, ish-trajneri thotë se nuk mund të shërbejë për rikthimin e një regjimi tjetër njëpartiak në vend, duke i konsideruar fasadë zgjedhjet pa opozitën.

Si qytetar i Kavajës, qytet i cili ka nisur i pari përpjekjet për rrëzimin e regjimit diktatorial, emri dhe figura ime nuk më lejon që unë të shërbej si fasadë e përpjekjes për të rikthyer edhe një herë në Shqipëri një regjim tjetër njëpartiak. Zgjedhjet janë të vërteta, kur ka garë reale dhe kur zhvillohen në një klimë që mundëson shpalosjen e alternativave për qytetin. Kjo nuk është e mundur të ndodhë në 30 Qershor.Vlerësoj se beteja për zgjedhje të lira e të ndershme është rruga e duhur për Kavajën dhe Shqipërinë dhe jo zgjedhjet fasadë. Në këto rrethana, deklaroj largimin nga Bindja Demokratike dhe tërheqjen time nga kandidimi për Bashkinë e Kavajës.“, thuhet në letrën e Sinellës për tërheqjen nga kandidimi.

Bledar Sinella është kandidati i dytë që tërhiqet nga gara, pas kandidatit për Bashkinë e Lezhës, Salvador Kaçaj. Ky i fundit dha dje dorëheqjen nga kandidimi i tij duke e quajtur procesin farsë elektorale./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *