Delegacioni i BE në Tiranë ka reaguar pas deklaratave të Presidentit të Republikës Ilir Meta që shprehu kritika ndaj EURALIUS dhe vuri në dyshim suksesin e reformës në drejtësi.
Delegacioni i BE shprehet se puna e EURALIUS është për t’u lavdëruar dhe ndihma e domosdoshme.
Delegacioni shton se reforma në drejtësi po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin kombëtar përkatës.
“Kemi vërejtur kritika për punën e projektit të asistencës teknike të financuar nga BE-ja për sektorin e drejtësisë EURALIUS.
Profesionalizmi, përkushtimi, puna e madhe dhe integriteti i EURALIUS-it janë për t’u lavdëruar. Ndihma e tyre është provuar e domosdoshme për të çuar përpara axhendën e reformave, duke punuar ngushtësisht me partnerë të tjerë si OPDAT i SHBA-së, ekspertë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe shërbimet e Komisionit Evropian.
Kjo mbështetje është kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe roli monitorues i Komisionit dhe i SHBA-ve u miratua njëzëri nga Kuvendi në kohën e adoptimit të amendamenteve kushtetuese.
Reforma në drejtësi po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin kombëtar përkatës. Ky është një proces kompleks, por reforma është në rrugën e duhur dhe është me rëndësi shumë të madhe që të gjitha institucionet shqiptare ta mbështesin atë”- thuhet në deklaratën e delegacionit të BE.