Presidenti i Republikës Ilir Meta ka kritikuar qeverinë, duke thënë se Reforma në Drejtësi nuk mund të quhet sukses, në një kohë kurr nuk kemi Gjykatë Kushtetuese.
Këtë deklaratë, Meta e bëri gjatë fjalimit në konferencën me temë: “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”.
“Jemi në krizë serioze në Shqipëri të cilës nuk mund t’i shmangemi. Pasi vendi pësoi 97-ën për fat të keq, u bë një kushtetutë e jashtëzakonshme, me ndihmën e ekspertëve të Komisionit të Venecias sepse u nxor mësim nga 97. Në 2008 për dy ditë një kushtetutë e bërë me sakrifica ia hoqëm të gjitha pika dhe kaluam nga një sistem parlamentar, kemi kaluar në një sistem të mbyllur partiak.
Parlamenti nuk është funksional sepse dy partitë e opozitës në mënyrë të papranueshme kanë lënë mandatet, por ka qenë mosfunksional dhe më parë.
Ne flasim për sukseset e reformës në drejtësi. Unë i jam shmangur kësaj çështje. Po bëhen 3 vite nga miratimi me konsensus i Reformës në Drejtësi dhe mund t’ju them që po të ishte një sukses, Shqipëria asnjë minutë nuk do të ishte pa gjykatë kushtetuese.”, tha Meta.
Më tej presidenti i Republikës shtoi se ai nuk mund të bëjë rolin e negociatorit mes opozitës dhe qeverisë, në një kohë kur palët nuk lëshojnë pe. Ai i bëri thirrje dhe ndërkombëtarëve të mbajnë përgjegjësi.
Shumë mirë që flisni për sukseset e Reformës në Drejtësi, por kemi kaq kohë pa Gjykatë Kushtetuese.
Unë jam presidenti i Shqipërisë dhe s’di ç’përgjigje të jap se kur do jetë funksionale Gjykata Kushtetuese. Unë e thashë këtë jo për të kritikuar, se e di që do bëhen lajme, por shpesh dëgjoj ‘çfarë bën Presidenti i Republikës’. Unë kam bërë atë që më takon. Presidenti nuk mund të ulë disa persona që thonë nuk ulem me këtë se është kryeministër, ndërsa tjetri thotë se 30 qershori do të jetë sukses. Kjo situatë kërkon përgjegjshmëri nga të gjithë aktorët vendas dhe aktorët ndërkombëtarë, kërkon paanësi”, tha Meta./Hashtag.al