Ish-atletja Alina Kabaeva, e cila prej vitesh përflitet si e dashura e presidentit rus Vladimir Putin ka sjellë në jetë binjakë. Të paktën kështu shkruajnë disa media ruse.
Nga Kabaeva nuk ka patur ndonjë konfirmim ndërsa Kremlini kurrë nuk e ka diskutuar jetën private të presidentit. Një burim i afërt me 36-vjeçaren Kabaeva, është shprehur “Ne nuk komentojmë mbi thashethemet.”
Sipas Dom2life.ru, i gjithë kati i katërt i dedikuar për personalitetet e rëndësishme në Qendrën Hulumtuese për Obstetrikë, Gjinekologji dhe Perinatologji, “Kulakov”, ishte pastruar në fillim të këtij muaji për të akomoduar Kabaevan, e cila i ka sjellë në jetë dy djemtë.
Një gazetë e rëndësishme në Rusi, “Moskovsky Komsomolets” e publikoi historinë për ta fshirë më pas shumë shpejt.
Sergei Kanev,një gazetar investigativ i afërt me Shërbimet Inteligjente Ruse, postoi se Kabaeva kishte sjellë në jetë dy djem përmes prerjes cezariane.
Shumë pak dihet për jetën private të ish-atletes ruse. Shpesh herë ajo është përfolur se është bërë nënë, madje në vitin 2009 shumë media shkruan se ajo kishte sjellë në jetë një fëmijë të presidentit Putin. Një djalë, që ata e kanë quajtur Dmitry në nder të kryeministrit të asaj kohe dhe ish-presidentit Dmitry Medvedev.
Më 6 qershor të 2013-ës, gruaja e Putinit Lyudmila lajmëroi se do të aplikonte për divorc. The New York Post raportoi më vonë në vitin 2013 se Kabaeva kishte sjellë në jetë një tjetër fëmijë, këtë radhë një vajzë.
Putin shpeshherë raportohet se e vizitonte Kabaevën dhe fëmijët e tyre në rezidencën presidenciale në Sochi.