Vendosni fjalën kyçe....

12 fjalitë kërcënuese të Ramës, në lutje publike


Ditën e djeshme kaloi pa ndonjë bujë të madhe mediatike, një letër që kryeministri aktual, Edi Rama i dërgoi kryetarit aktual të PD-së, Lulzim Bashës.

Ideja kryesore qe lutja për dialog, mes tij dhe kryedemokratit, sidomos tani që zgjedhjet vendore janë afër dhe opozita është jashtë parlamentit.

Po ta shohësh me kujdes, këtë letër të shkurtër prej vetëm 12 fjalish, shikon se ajo që shitet e paketuar si një lutje, në analizë të ftohtë të përmbajtjes, nuk është veçse një kërcënim, i cili arrin kulmin në mes të tekstit.

Lexoni me vëmendje shënimet në kllapa, për një interpretim të thjeshtë të përmbajtjes dhe gjuhës së shantazhit.

“Ju drejtohem me këtë letër publike, në përpjekjen për t’i thirrur arsyes Suaj dhe për t’iu kthyer të vetmes rrugë që demokracia njeh, për trajtimin e mosmarrëveshjeve mes palëve: Dialogut! (Kupto: Ti aty, kthehu në rrugë të mbarë djalosh!)

Unë sigurisht, s’kam asnjë mirëkuptim për rrugën e zgjedhur prej Jush, qyshse braktisët marrëveshjen pozitive të 17 majit 2017 dhe vendosët ta nxirrnit grupimin Tuaj, plotësisht jashtë shinave të shtruara në atë marrëveshje. (Kupto: Ti aty më preve në besë dhe ke dalë fare nga shinat!)

S’kam se si ta mirëkuptoj as gjuhën e urrejtjes, as djegien e mandateve, as dhunën e frymëzuar e organizuar prej Jush, prej së cilës nuk jeni distancuar asnjëherë; për të cilën jeni akuzuar botërisht, me emër e me mbiemër, nga partnerët e miqtë e pazëvendësueshëm të Shqipërisë dhe si pasojë e së cilës sot, një numër jo i vogël ndjekësish Tuajt gjenden në duart e drejtësisë. (Kupto: Ti aty ke frymëzuar dhunën, je akuzuar për këtë edhe nga të tjerët dhe ndjekësit e tu janë në qeli!)

S’kam si të mirëkuptoj kurrësesi, as bojkotin e paprecendentë të zgjedhjeve dhe lëre pastaj, shantazhin mbi vendin e mbi qytetarët e këtij vendi, se Ju nuk do t’i lini ata të votojnë në 30 qershor. (Kupto: Ti aty ke guximin dhe do pengosh njerëzit të votojnë!)

Por mungesa e plotë e mundësive të mia për të mirëkuptuar gjithë sa më lart, nuk më pengon, përkundrazi, më detyron t’Ju drejtoj publikisht, këtë herë me shkrim, ftesën për t’u ulur pa humbur kohë në Tryezën e Dialogut. Dialogun s’mund ta pengojnë assesi, qoftë pozicioni Juaj ekstrem në lidhje me zgjedhjet vendore, qoftë pamundësia ime ekstreme në lidhje me datën kushtetuese të zgjedhjeve. (Kupto: Ti aty do bësh dialog me mua do apo nuk do dhe me “një këmbë” do ta lexosh këtë letër! E kupton çfarë sakrifice po bëj, jam ulur e ta kam shkruar, të jam drejtuar edhe me Zoti Kryetar me “K” të madhe?!)

Jeta politike nuk mbaron në 30 qershor dhe që të jemi të qartë mes nesh, zgjedhjet në 30 qershor Ju mund t’i vështirësoni, nëse do t’i shkoni deri në fund rrugës pa krye, ku po e udhëhiqni grupimin Tuaj politik, por s’ka asnjë shans që t’i ndaloni të zhvillohen. (Kërcënimi këtu arrin kulmin. Kupto: Ti zgjedhjet s’ke shans t’i ndalosh!)

Por Dialogu duhet të nisë pa humbur kohë, pavarësisht atyre që thoni e mendoni të bëni Ju në 30 qershor dhe pavarësisht faktit se unë 30 qershorin s’kam asnjë fuqi ligjore ta negocioj, edhe pse Ju jeni i lirë ta diskutoni në Tryezën e Dialogut. (Kupto: Ti ulu në tryezën që unë e quaj tryezë dialogu, thuaj çfarë të duash, por të kotë e ke!)

Unë Ju ftoj në një dialog pa kushte dhe në kushtet kur Shqipëria e shqiptarët, nuk meritojnë përkeqësimin e një situate politike krejt të pakuptimtë, e cila po u kushton në mënyrë krejt të pamerituar. (Kupto: Ti do bësh dialog, por kushte s’ka!)

Shumica dërrmuese e tyre, përfshirë edhe shumicën e atyre që si zgjedhës të pakicës, s’kanë votuar e s’kanë ndërmend të votojnë ndonjëherë për mua dhe qeverinë që drejtoj, duan dialog mes nesh, e jo acarim mes shqiptarëve dhe dëmtim të Shqipërisë, për shkakun tonë. (Kupto: Ti bëj çfarë të duash, por mendo se çfarë po bën, o djalë i mbarë!)

Aq më pak duan çka Ju po u ofroni sot, në një rrugë ku, të kuptohemi, nuk është fare halli im se do shkoni keq e më keq politikisht si grupim, po ku edhe ata vetë janë të humbur dhe ku askush nuk del i fituar. (Kupto: Ti do marrësh fund!)

Me shpresën e vobektë se ftesa ime do të merret parasysh dhe me urimin, që përveç fjalive propagandistike, të marr mbrapsht edhe përgjigjen pozitive për këtë ftesë, Ju lutem zoti Kryetar të pranoni shprehjen e dëshirës sime të sinqertë për shëndet të patrazuar, për Ju personalisht dhe familjen Tuaj. (Kupto: Ti dihet se çfarë do bësh, s’kam pikë besimi por unë po bëj sikur po kërkoj dialog!)

Ja pra, se si lutet kryeministri Rama, shenjat e së cilës gjenden vetëm në hyrje, vetëm aty ku i drejtohet Bashës dashamirësisht “Zoti Kryetar”./ V.G-Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *