Presidentit të Filipineve Rodrigo Duterte i ka ardhur në majë të hundës konflikti me Kanadanë për mbeturinat. Pasi kërcënoi kryeministrin kanadez Justin Trudeau për “luftë”, ai ka urdhëruar qeverinë e tij të punësojë një kompani private të transportit detar, për të dërguar 69 kontejnerë të mbeturinave në Kanada dhe t’i lërë ato brenda ujrave të saj territoriale nëse refuzon të pranojë plehrat.
“Filipinet si një komb sovran i pavarur nuk duhet të trajtohen si plehra nga kombi tjetër i huaj”, tha zëdhënësi i presidentit, Salvador Panelo në një konferencë për mediat.
Kanadaja thotë se mbetjet, të eksportuara në Filipine midis viteve 2013-2014, ishin një transaksion tregtar pa pëlqimin e qeverisë.
Kanadaja kishte rënë dakord të merrte mbeturinat dhe të dy vendet ishin në procesin e rregullimit të transferimit. Por sikurse shkruan “Reuters“, Kanadaja nuk e zbatoi afatin e 15 majit të vendosur nga Manila për të marrë përsëri dërgesën me mbeturina. Për këtë Filipinet tërhoqën diplomatët e lartë nga Kanadaja javën e kaluar.
“Natyrisht, Kanadaja nuk e merr seriozisht këtë çështje dhe as vendin tonë. Populli filipinas është fyer rëndë nga Kanadaja që e trajton këtë vend si një vend mbeturinash.”, tha Panelo.
Të mërkurën, sipas një deklarate të qeverisë së Kanadasë, ishte punësuar një kompani “për të sjellë në mënyrë të sigurtë mbeturinat në Kanada sa më shpejt të jetë e mundur”.
“Largimi do të përfundojë deri në fund të qershorit, pasi mbetjet duhet të trajtohen në mënyrë të sigurt për të përmbushur kërkesat kanadeze të sigurisë dhe shëndetit”,vijon deklarata.
Filipinasit kanë bërë disa protesta diplomatike në Kanada që pas një vendimi të gjykatës së 2016-ës se mbeturinat do të ktheheshin.