Vendosni fjalën kyçe....

Rama, 2 letra të hapura në 2 ditë për Bashën


Pas letrës së hapur të ditës së djeshme drejtuar kreut të opozitës, Basha, kryeministri Rama është ulur dhe ka shkruar një tjetër letër publike ndaj Bashës.

Ashtu si në letrën e djeshme, kreu i qeverisë e fton Bashën në dialog, për të cilin thotë se është i vetmi mjet që njeh demokracia.

Ai i drejtohet Bashës duke thënë se është i lirë që ta çojë grupimin që udhëheq në humnerë ndërsa përmend sërish faktin se ata që do kryejnë krime zgjedhore do dënohen sipas ligjit dhe do ju ndalohet hyrja në SHBA dhe vendet e BE-së.

Në fund Rama i bën thirrje Bashës që të ulen në dialog pa kushte dhe pa humbur kohë duke ritheksuar se zgjedhjet lokale do mbahen më 30 qershor.

LETËR E DYTË PUBLIKE LULZIM BASHËS

Zoti Kryetar,

e mora reagimin Tuaj ndaj letrës së djeshme ende pa u “tharë boja” e saj dhe nuk jam aspak i çuditur, me refuzimin brutal të Dialogut nga ana Juaj. Por, duke qenë se detyrimi im është të këmbëngul, pa humbur durimin, në të vetmen rrugë që njeh demokracia, Dialogun, mbetem i vendosur t’Ju ofroj të gjithë gatishmërinë time, për t’i hapur rrugë Dialogut.

Natyrisht, Ju jeni në të drejtën Tuaj ta udhëhiqni grupimin Tuaj politik drejt humnerës, duke marshuar përditë sikur jetoni në një botë paralele, pa ligje, pa rregulla, pa të tjerë që mendojnë krejt ndryshe nga Ju në këtë vend (shumica dërrmuese, përfshirë edhe shumicën e votuesve Tuaj) dhe jashtë këtij vendi – pa përjashtim të gjithë miqtë e partnerët e Shqipërisë.

Ju jeni në të drejtën Tuaj t’u drejtoheni shqiptarëve sikur janë gjindje pa vetëdije, që s’dinë ç’është demokracia, ligji e vetë liria dhe t’i trajtoni miqtë e partnerët ndërkombëtarë të vendit sikur nuk ekzistojnë.

Ju jeni po ashtu në të drejtën Tuaj të synoni tërheqjen pas Jush të pak individëve që mbase, kushedi, mund të jenë gati të kryejnë krime zgjedhore e të humbasin lirinë e tyre, sipas parashikimeve të Kodit Penal për ato krime dhe më tej akoma, t’i thonë lamtumirë edhe lirisë së hyrjes në SHBA dhe në vendet e Bashkimit Europian, si persona të padëshirueshëm në një botë që rrotullohet përmes zgjedhjeve demokratike, jo përmes dhunës mbi to.

Por, i dashur Lulzim, për fat të mirë Ju s’jeni vetëm në këtë vend dhe as ata që do vijojnë t’Ju ndjekin në aventurën Tuaj të pashoqe, gjithnjë e më të paktë, nuk janë asfare populli i këtij vendi. I cili lirinë dhe të drejtën për të zgjedhur, nuk i ka marrë borxh nga Ju apo nga unë dhe po ashtu, nuk Ju’a ka borxh as Juve, as mua e askujt në botë, mosmbajtjen në kohë e në paqe të zgjedhjeve të radhës.

Kështu që përsëri Ju bëj publikisht thirrje: Ejani të ulemi në Tryezën e Dialogut! Pa kushte dhe pa humbur kohë.

Fushata e zgjedhjeve nis zyrtarisht në 31 maj dhe ditët e numëruara që kanë mbetur, duhen shfrytëzuar për dialog politik, jo humbur me kërcënimet e dëshpërura dhunënxitëse që nuk Ju turpërojnë vetëm Juve, po edhe vendin tonë e të gjithëve ne bashkë me të.

Ejani në Dialog të arsyetojmë si njerëz me përgjegjësi të mëdha dhe t’i ballafaqojmë divergjencat tona të mëdha, me forcën e arsyes, përpara se sa inercia e rrugës së gabuar që keni marrë t’Ju ketë degdisur në esfeltin e irrelevancës politike, megjithë grupimin Tuaj.

Edhe njëherë, mua s’më duhet fati Juaj politik dhe as fati politik i atij grupimi – madje sipas meje, troç fare, rrënimi i plotë me duart Tuaja i grupimit që po udhëhiqni qorrazi është ogur i mirë për këtë vend e për vetë të ardhmen e institucionit të pazëvendësueshëm të opozitës – por ky moment me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, më imponon t’Ju lutem të ktheni rrugë! Sepse Shqipëria s’ka kohë për të humbur për llogaritë e gabuara politike dhe aventurat antidemokratike të kujtdoqoftë.

Duke Ju garantuar se jam në dispozicionin Tuaj, në çdo moment dhe pa kushte për një Dialog për Shqipërinë, si edhe duke Ju siguruar se sikur të tërë të dëshpëruarit nga Reforma në Drejtësi të hidhen përpjetë, nuk kanë për të ndalur dot as zbatimin e Reformës në Drejtësi, as zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor, uroj rikthimin Tuaj sa më të shpejtë në rrugën e arsyes.

Edi Rama

23 maj, 2019


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *