Vendosni fjalën kyçe....

Rritet presioni ndaj Theresa May për dorëheqje


Kryeministrja britanike Theresa May po i reziston thirrjeve për të dhënë dorëheqjen, pavarësisht reagimeve në rritje kundër planit të saj të Brexit nga deputetët konservatorë.

Disa ministra të kabinetit i thanë “BBC“-së se ajo nuk mund të qëndrojë, duke thënë se është “fundi i linjës”. Konservatorët u takuan të mërkurën mbrëma, por vendosën të mos ndryshonin rregullat që do të lejonin një votim të menjëhershëm të mosbesimit ndaj saj.

Redaktorja politike e “BBC”-së, Laura Kuenssberg thotë se kryeministrja duket se ka blerë 36 orë kohë. May do të takohet të premten me kryetarin e Komitetit me ndikim 1924, Sir Graham Brady,.

Ndërkohë, Britania e Madhe do të votojë të enjten në zgjedhjet e Parlamentit Europian, ku me shumë gjasa konservatorët do dalin shumë keq.

Pakënaqësia ndaj udhëheqjes së May-t u rrit ndjeshëm pasi ajo përcaktoi planet për projekt-marrëveshjen e tërheqjes, legjislacioni i nevojshëm për të zbatuar marrëveshjen midis Britanisë së Madhe dhe BE-së mbi kushtet e Brexit.

Ky plan përfshinte një numër koncesionesh për të tërhequr mbështetjen e partive të ndryshme, përfshirë garancitë e reja për të drejtat e punëtorëve, mbrojtjen mjedisore dhe kufirin e Irlandës Veriore, si dhe një “kompromis” doganor.

Por politikanët pro Brexit në partinë e saj reaguan me zemërim ndaj këtij plani, veçanërisht pas premtimit për t’i dhënë deputetëve një votim për një referendum tjetër, nëse ata mbështesin projektligjin. May këmbëngul se është “shansi i fundit” i Parlamentit për Brexit.

Disa ministra të kabinetit, të mërkurën pasdite shprehën pakënaqësinë e tyre me projektligjin, mes tyre ministri i brendshëm Sajid Javid. Ministri i Jashtëm Jeremy Hunt gjithashtu kërkoi një takim privat me Kryeministren. Por Laura Kuenssberg tha se kryeministrja nuk pranoi të takohej me ministrat, të cilët shihen  si kandidatë të mundshëm për të qenë udhëheqësi i ardhshëm konservator.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e BBC


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *