Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë ka në dorë presidenti për të ndalur farsën në Akademinë e Shkencave


Sot mbahen zgjedhjet për kryesinë dhe këshillin ekzekutiv të Akademisë së Shkencave. Përfaqësues të opozitës si dhe një grup intelektualësh i kanë quajtur këto zgjedhje farsë, për shkak se kandidati i vetëm për kryetar është Skënder Gjinushi, i cili vjen nga një karrierë e gjatë në politikë.

E në fakt,në nenin  6 të ligjit në fuqi për Akademinë e Shkencave, thuhet se: “Personat, që kanë funksione të larta administrative dhe politike, nuk mund të kandidojnë për tu zgjedhur anëtarë të rregullt dhe të asociuar të Akademisë gjatë ushtrimit të këtyre funksioneve. Procedurat për zgjedhjen e anëtarëve përcaktohen në statutin e Akademisë.”

Nisur nga karriera politike e Gjinushit, akademiku Artan Fuga ka qenë një nga zërat më të fortë kundër zgjedhjes së tij. Po ashtu edhe përfaqësues të opozitës si Edmond Spaho, Petrit Vasili apo Albana Vokshi. Një nga elementët që kundërshtohet më shumë nga Fuga është se drejtuesit e Akademisë së Shkencave vijojnë të jenë të njejtët, me ndryshimin e vetëm se sekretari bëhet nënkryetar dhe kryetari sekretar!.

Akademiku i njohur Artan Fuga më herët tha se i ka varur shpresat tek presidenti i Republikës Ilir Meta, që të mos i miratojë të zgjedhurit e votimit të sotëm.

Por çfarë ka në dorë presidenti i Republikës?

Në nenin 92 të Kushtetutës, ku përcaktohen kompetencat e Presidentit të Republikës, thuhet se ai “emëron Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe rektorët e universiteteve sipas ligjit; gj) cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve;”

Po ashtu edhe në ligjin për akademinë e Shkencave, në nenin  11 parashikohet se kandidati i cili merr më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Asamblesë dhe emërohet nga presidenti i Republikës.

Por nëse presidenti Meta, do të gjykojë se zgjedhja e kryetarit të Akademisë së Shkencave nuk zbaton ligjin apo Kushtetutën, Akademia do të detyrohet të përsërisë procesin zgjedhor.

Kandidatët që garojnë pa kundërshtar:

  1. Për Kryetar të ASH-së – Akademik Skënder Gjinushi
  2. Për zv/kryetar të ASH-së – Akademik Vasil S. Tole
  3. Për Sekretar Shkencor të ASH-së – Akademik Salvator Bushati
  4. Për Kryetar të Seksionit të SHNT-së – Akademik Neki Frashëri/Hashtag.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *