Alias-Autor: Jozef Shvejk
Një sondazh i para disa javëve mbi reformën në drejtësi, raportonte se 63% e shqiptarëve nuk besojnë më tek procesi i vettingut.
Por, me sa duket zonjës Genoveva Cavalera një sondazh i tillë nuk i ka shkuar në tavolinë.
Pasi përballë këtyre shifrave alarmante për një process në shërbim të shqiptarëve shefja e vettingut duhet të kishte dalë me kohë në publik.
Gjithsesi, Veva e sertë e vettingut (siç do ta quante Ilva Tare në në një editorial pa shije tek Java News) nuk i beson aq shumë sondazheve, prandaj vendosi të dilte në publik dy ditë pasi Ilir Meta tha disa të vërteta mbi këtë proces.
Frymëzuar, nga paralajmërimet që një tjetër zonjë me CV të pasur i kish thënë zonjës së vettingut pak kohë përpara se të linte postin e ambasadores së BE-së, Cavalero shkroi në katër pika përse shqiptarët duhet të besojnë tek vettingu.
Megjithë erudicionin e madh që zonja ka, nuk mundi të artikulojë në asnjë nga katër pikat e shkruara në një shqipe standarte, se përse tash 2 vjet Gjykata Kushtetuese është jashtë funksioni? Çfarë qendrimi ka ajo për rastet e konfliktit të interesit të zbuluar gjatë procesit të vettingut?
Përse ILD nuk është ende funksionabël? Si ka mundësi që procesi i vettingut është aq i ngadaltë dhe i shpejtë njëkohësisht sa që të mos ketë nisur vettingun për shumë anëtarë kyç të institucioneve të reja por të ketë lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë?
Për të gjitha këto pyetje të rëndësishme Veva e sertë kishte vetëm “[një] buzëqeshje të ngrohtë…. si të gjithë latinët”, duke i munguar argumenti i fortë ligjor dhe racional. Ajo, na fton ne si qytetarë të këtij vendi të inkurajojmë institucionet e reja. Gjithashtu shpjegon se mospërputhjet në vendimet e vettingut vijnë si pasojë e faktit se çdo dosje “është e ndryshme nga tjetra”.
Mirëpo, kur publiku (pra ai 63% që nuk ka besim) lexon dosjet publike dhe vendimet e KPK nuk ka se si të mos ngrejë pikëpyetje mbi vendimet e vettingut.
Fjala vjen; Fatos Lulo, i cili u përjashtua nga KPK pasi i kishte marrë hua të motrës (një ndërtuese e njohur dhe me pasuri) por ky standart nuk u aplikuar në rastin e prokurores Prela. Ndonëse kjo kishte marrë hua nga një person i panjohur.
Elsjon Sadiku u largua nga detyra pasi ai kishte blerë një shtëpi nën vlerën e tregut, ndërkohë që Donika Prela nuk u përjashtua nga detyra për të njëjtën skemë blerje të shtëpisë. Donika Prela akuzohet për evazion fiskal dhe nuk është hetuar ndërsa çështjen e saj e ka çuar në KPA jo ONM por Komisioneri Publik.
Gjyqatari Thanza u largua nga sistemi gjyqësor prej KPK për shkak të fshehjes së pasurisë sikundër edhe prokurori Nela, kjo është mëse normale për KPK. Por kur vjen rasti tek zoti Dvorani vendimi i KPK është i ndryshëm.
Nëse në rastet e mësipërme mosdeklarimi i pasurisë konsiderohej si fshehje pasurie, në rastin e Dvoranit mosdeklarimi i 99 mln lekëve në Deklarimin e Pasurisë u kosniderua si “harresë”.
Kështu KPK merr një tjetër vendim me dy standarte në lidhje me vendimet e mëparshme. (Sot Dvorani është një nga dy anëtarët e vetëm të Gjyaktës së Lartë dhe dosja e tij nuk është ankimuar nga ONM).
Për këto raste zonja e sertë me buzëqeshjen tipike latine nuk ka kthyer një përgjigje. Por, ajo mjaftohet me moralizimin shterpë se këto vuajtje që po kalojmë me një parlament noter, kryeministër autoritar dhe sistem të copëzuar gjyqësor do të na shërbejnë për të ndërtuar një DREJTËSI më të MIRË.
– VEFA
Në memorien tonë kolektive Vefa nuk rrezonon një kujtim të bukur. Shqiptarët kanë lënë leshtë, literalisht, në firmat piramidale ku një ndër kampionet ishte dhe VEFA. Sikundër zonja e sertë mund ta ketë dëgjuar, firma VEFA u premtoi shqiptarëve (si çdo skemë Ponzi) pasurim të shpejtë me pak vuajtje në fillim.
Duke pasur parasysh që në shkrim Cavalero kish përmendur edhe procesin e Strasburgut si një shkallë gjyqësori që mund të shfrytëzohet nga ata gjyqtarë e prokurorë që mendojnë se u janë shkelur të drejtat.
Por mbi të gjitha duke pasur para syve edhe ankesat e shumta të tyre në këtë Gjykatë dhe gjithashtu gjykimin politik të kryer nga institucionet e vettingut, kam bindjen që faturës së hidhur të pronave do t’i shtohet dhe kjo e dëmshpërblimit nga vettingu.
Por, mbase kjo është një pikë që nuk i intereson zonjës Cavalero. Në fund të ditës edhe Vefa ndonëse u premtoi parajsën shqiptarëve nuk ua ktheu lekët dhe leshin që kishin depozituar.
VINI RE: Autori shkruan në rrjete sociale, me pseudonim. Hashtag.al publikon sporadikisht shkrime anonimati, kur përmbajtja dhe argumentimi prevalon mbi identitetin dhe kur shkrimi nuk përmban qëndrime që cënojnë integritetin e një personi ose të një institucioni.