Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në Akademinë e Shkencave. Skënder Gjinushi është zgjedhur kryetar me 35 vota pro dhe gjashtë kundër, ndërkohë që një votë u shpall e pavlefshme.
Me shumicë votash u zgjodhën dhe zv/kryetar i ASH-së – Akademik Vasil S. Tole; Sekretar Shkencor i ASH-së – Akademik Salvator Bushati dhe Kryetar të Seksionit të SHNT-së – Akademik Neki Frashëri.
Të gjithë këta ishin kandidatë pa një kundërshtar tjetër përballë.
Në votime kanë marrë pjesë 43 anëtarë, 32 prej të cilëve ishin të pranishëm fizikisht, ndërsa 11 të tjerë votuan me postë. I vetmi akademik që nuk votoi është Akademiku Artan Fuga i cili e quajti këtë ditë “të premten e zezë” për shkencën dhe arsimin në Shqipëri.
Ky proces është shoqëruar me debate, pasi i vetmi kandidat për pozicionin e kryetarit të Akademisë së Shkencave, ishte akademiku Skënder Gjinushi. Përfaqësues të opozitës si dhe një grup intelektualësh i kanë quajtur këto zgjedhje farsë, pjesërisht për shkak se Gjinushi, vjen nga një karrierë e gjatë në politikë por edhe për të tjera arsye.
E në fakt,në nenin 6 të ligjit në fuqi për Akademinë e Shkencave, thuhet se: “Personat, që kanë funksione të larta administrative dhe politike, nuk mund të kandidojnë për tu zgjedhur anëtarë të rregullt dhe të asociuar të Akademisë gjatë ushtrimit të këtyre funksioneve. Procedurat për zgjedhjen e anëtarëve përcaktohen në statutin e Akademisë.”
Por fjalën e fundit e ka presidenti i Republikës Ilir Meta. Në nenin 92 të Kushtetutës, ku përcaktohen kompetencat e Presidentit të Republikës, thuhet se ai “emëron Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe rektorët e universiteteve sipas ligjit; gj) cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve;”
Nëse presidenti Meta nuk e dekreton Gjinushin, Akademia do të detyrohet të përsërisë procesin zgjedhor./Hashtag.al