Vendosni fjalën kyçe....

Takimi pas 32 viteve i dy burrave që humbën rininë në Qafë-Bari


Nga Berina Gjoka

Dy burra rreth të 50-ave, njëri nga Durrësi, tjetri nga Tirana, takohen në vendin e vuajtjes së tyre në rini, në kampin e riedukimit për të burgosurit politikë të regjimit komunist në Qafë-Bari. Është data 22 maj 2019 dhe ata kanë 32 vite pa u parë. Me imazhin e njëri-tjetrit të veshur me rrobat e minierës, me kokën të ulur nga frika e ndonjë goditjeje që u vinte papritur pas qafe nga policët e kampit, të pangrënë dhe të mërdhitur në 1 metër dëborë, ata takohen sot të ndryshëm, të mbajtur, të veshur me kostum. Po kujtimet i ruajnë të dy njësoj.

Altin Gjuzi ishte vetëm 15 vjeç kur mbërriti për herë të parë në vendin e quajtur Qafë-Bari, disa orë larg Tiranës në mes të maleve në Pukë. Ishte më i vogli nga të dënuarit e një prej kampeve më të reja, por më i egri i regjimit komunist. Po atje nuk do të ishte i vetmi i mitur i dënuar me burg për arsye politike, pasi kishte shumë djem të rinj pak më të mëdhenj se ai, nga 16-20 vjeç, që vuanin dënimin në këtë kamp riedukimi, siç quhej. Ai ishte kapur nga policia kufitare shqiptare në tentativë për të kaluar kufirin pranë fshatit Lin, Pogradec.

Kur mbërriti në kamp në vitin 1986 dëgjoi historinë e ngjashme me të tijën të një tjetër djali kurajoz, 16-vjeçarit Gjergj Hani, që po ashtu ishte kapur një vit më parë, në po atë pikë të kufirit, duke tentuar të arratisej. Hanin e kishin nxjerrë pasi përfitoi nga një amnisti për të miturit në vitin 1986, por e rikthyen përsëri një vit më vonë në të njëjtin kamp, ku u takua me Altinin me të cilin pa u njohur kurrë kishin pasur të njëjtën ëndërr fëmijërore dhe kishin shkelur të njëjtën rrugë pa mundur ta preknin lirinë. Miqësia e tyre nuk mund të ishte një miqësi normale sepse nuk lindi në kushte normale.

“Ëndrra ime ishte të bëhesha notar. Bëja not çdo dit në liqenin e Farkës me shokët e mi. Ishim një grup që diskutonim si të largoheshim nga Shqipëria”. Në Liqenin e Farkës një nga të dënuarit politikë që sapo kishte dalë nga burgu dhe punonte në ndërtimin e digës, i thotë se ai s’do të kishte të ardhme si notar, ndaj duhej të arratisej. Me guximin e rinisë bashkë me një mikun e tij pak më të madh në moshë, nisen për në Pogradec dhe natën vonë kalojnë klonin e kufirit, por patrulla i kap 220 metra brenda kufirit jugosllav. Më pas 2 javë rresht të lidhur me zinxhir e nxjerrin në mes të qytetit të Pogradecit duke e tërhequr me forcë. Ishte viti 1986, pak vite para rënies së komunizmit, kur një fëmijë i rrahur dhe i lidhur u tregohej njerëzve si fytyra e “armikut të atdheut”.

“Kur erdha këtu sot kisha shumë emocione të përziera. E shoh këtë vend dhe ndiej gëzim sepse kam fituar, kam dalë gjallë prej këtej. Ky vend, ato vuajtje që kam kaluar këtu 5 vite kanë qenë me mua gjatë gjithë kësaj kohe, çdo ditë”, thotë ai dhe mbytet nga lotët. Gjergji ka vetëm kujtime të mira për shokun e tij të vuajtjes. “Kur mbërrita këtu është e çuditshme, por ndjeva një nostalgji, çuditërisht në ato momente nuk kujtoja më vuajtjen, dhimbjen fizike, sesa fatin e madh që kam njohur njerëz të veçantë, njerëz që në jetën normale nuk do t’i kisha njohur dot. Kam njohur njerëz që kanë vënë veten në rrezik për një kothere bukë që t’ua jepte bashkëvuajtësve të tij. Altini është fisnik dhe nuk e tregon, por në kohë kur ai ishte ngarkuar nga komanda që të merrte furnizimin me bukë për kampin, sillte shpesh fshehurazi ushqim për të dënuarit e tjerë, ata më të vjetrit. Njëri prej tyre e denoncoi dhe druri që ka ngrënë nga policët ishte i tmerrshëm”.

“Po, mbaj mend. Merrja ndonjë konservë me mish për Hamdiun, ishte plak, më vinte keq”– ia pret Altini. Pasi dolën nga ai vend tmerri, që ata e quajnë rrethi i 10-të i ferrit, secili vrapoi të jetonte jetën e tij. Nuk patën asnjë kontakt dhe ndoshta asnjë dëshirë të vërtetë për t’u ritakuar, sikur ai takim do t’i kthente pas në kohën më të keqe të jetës së tyre. Në emigracion duke u munduar të ndërtojnë jetën e re në liri bënë sikur harruan çmimin e rëndë që kishte pasur për ta kjo liri. Sot Gjergji ka një dyqan kancelarie, ndërsa Altini punon jashtë, shkon dhe vjen herë pas here. “Na mori rutina, po në asnjë moment nuk harruam ato që kaluam në atë vend. Si mund t’i harrojmë? Nuk ka ditë që në një fraksion të saj nuk na përsëritet qoftë dhe një kujtim i asaj kohe. Është e pamundur ta largojmë nga vetja”, thotë Gjergji.

Ai e njohu i pari Altinin në takimin ku ishin dhjetëra ish të dënuar të tjerë të Qafë-Barit, ata që ritakohen dhe ritregojnë dhimbjen në pelegrinazhin e përvitshëm të 22 majit. Të dy ndihen keq që ky vend është lënë në harresë dhe po rrënohet. “Ajo është një pjesë e historisë së krimit që kanë bërë kundër nesh. Rrënimi i kampit na dhemb se e dimë që është lënë kastile për të lënë në harresë këto krime”, thotë Altini. Mosha kur i kanë dënuar duket se ka qenë në favor të tyre, kanë patur më shumë kohë për ta rinisur jetën. Ata e kuptojnë këtë kur shohin ish të dënuar të tjerë që janë po aq të rrënuar dhe të vuajtur sa ç’ishin në kamp.

Nuk e kanë rigjetur më veten pasi kanë kaluar nëpër ferr. Janë të lodhur, të rraskapitur nga puna e rëndë dhe torturat që kanë kaluar këtu. Janë të varfër, të frikësuar sikur diktatura vijon ende. Fjalët e tyre që kërkojnë dënimin e kriminelëve i merr era që frynë në këto male, ku dhe pse është maj era është e ftohtë dhe nata bie gjithmonë më shpejt. Ata thonë se kriminelët që ua kanë shkaktuar këto vuajtje janë të lirë dhe ashtu si në atë kohë bëjnë një jetë më të mirë se ata. Ngrenë zërin, denoncojnë se komandanti i kampit Edmond Caja, që të gjithë ata e quajnë xhelat, është sot një qytetar gjerman dhe polici Ludovik Cali, emër që iu fut edhe sot të dridhurat, është qytetar kanadez.

Dy miqtë e vjetër që shkonin kokulur në galerinë e minierës për të mbushur vagonët me mineral, aq sa ishte norma, asnjë gur më pak se ndryshe futeshin në izolim, që ndanin bukën bashkë e flisnin me pëshpërima nga frika, sot janë ulur dhe diskutojnë bashkë se si mund ta hedhin në gjyq Cajën dhe Calin. Si mund të vënë pak drejtësi, sipas tyre.Për fat të keq kjo duket më e vështirë se ëndrrat e tyre për t’u arratisur në një natë të errët nga Shqipëria komuniste.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Mapo.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *