Katër persona janë vënë në pranga gjatë 24 orëve të fundit në qarkun e Gjirokastrës, pas akuzave për vepra të ndryshme penale.
Sipas policisë së Gjirokastrës, dy persona nga Memaliaji dyshohen për kultivim të lëndëve narkotike në fshatin e tyre Buz.
Një tjetër person, me banim në Mamurras është kapur duke transportuar 5 shtetas të huaj si klandestinë.
Së fundmi në Përmet është arrestuar një 30-vjeçar me inicialet A.Xh, pasi akuzohet se ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj babait të tij.
Detajet e policisë:
“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër vijojnë punën për goditje e paligjshmërisë.
Në Memaliaj, nga Shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve H.C., 25 vjeç dhe B.C., 47 vjeç, pasi këta shtetas dyshohet se janë autorët e tentativës për kultivim të 60 kubikëve të kultivuar me fara Cannabis Sativa, në fshatin Buz, Memaliaj., si dhe u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër dhe për shtetasin G.Ç., me detyrë kryeplak i fshatit Buz.
———————————-
Në Gjirokastër, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A.Q., 20 vjeç, banues në Mamurras, pasi u kap duke transportuar me mjetin e tij 5 shtetas nga vendet e treta, kundrejt fitimit.
—————————–
Në Përmet, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A.Xh., 30 vjeç, pasi ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj babait të tij. Materialet i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.