Vendosni fjalën kyçe....

Assange letër me shkrim dore nga burgu: Gjithkush të vendoset në vendin tim


Në një letër të shkruar me dorë nga burgu i Belmarshit, bashkëthemeluesi i “WikiLeaks” Julian Assange thotë se atij i është mohuar shansi për të mbrojtur veten dhe se elementët në SHBA që “urrejnë të vërtetën, lirinë dhe drejtësinë” duan që ai të ekstradohet dhe të vdesë.

Këtë letër, Assange ia dërgoi gazetarit të pavarur britanik Gordon Dimmack. Ishte data e 13 majit – dhjetë ditë para se SHBA të njoftonte 17 akuzat shtesë sipas ligjit të spiunazhit.

Në dritën e aktakuzave të reja, Dimmack lexoi letrën në një video në “YouTube”.

Një fotografi e letrës së shkruar me dorë nga Assange, u bë virale në rrjetet sociale, shkruan “RT“.

“Unë kam qenë i izoluar nga çdo aftësi për t’u përgatitur për të mbrojtur veten: pa laptop, pa internet, asnjëherë, pa kompjuter, pa bibliotekë deri tani, por edhe nëse kam akses do të jetë vetëm për gjysmë ore me gjithë të tjerët, një herë në javë”, shkruan Assange.

“Pala tjetër? Një superfuqi që është përgatitur për 9 vjet, me qindra njerëz dhe miliona të papërmendura janë shpenzuar për rastin”, vijon letra.

Assange u arrestua më 11 prill, pasi Ekuadori revokoi azilin e tij politik dhe policia e Britanisë e arrestoi atë në ambasadën e vendit të Amerikës Latine në Londër.

Assange u dënua me 50 javë pas hekurave, për thyerjn e lirimit me kusht dhe e çoi në Belmarsh, një burg në jug të Londrës, dikur i quajtur si “Guantanamoja Britanike”. Në këtë burg ndodhen të dënuarit për terrorizëm.

“Unë jam i pambrojtur”

“Unë jam i pathyer, megjithëse jam literalisht i rrethuar nga vrasësit, por ditët kur unë mund të lexoja, të flisja dhe të organizohesha për të mbrojtur veten, idealet e mia dhe popullin tim kanë marrë fund,  derisa të jem i lirë! Gjithkush duhet të vendoset në vendin tim”, shkruan Assange në letër.

Themeluesi i “WikiLeaks” kishte kërkuar strehim në Ekuador në vitin 2012, duke pretenduar se akuzat e ngritura në Suedi do të përdoreshin për ta ekstraduar atë në SHBA (siç doli). SHBA e ka akuzuar së fundmi Assange për shkeljen e Aktit të Spiunazhit, gjatë botimit të dokumenteve ushtarake dhe diplomatike amerikane të vitit 2010. Një dokument që përdorej për të dënuar spiunët gjatë Luftës së parë Botërore.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *