Pasi e quajti presidentin Ilir Meta një “burrë dhe demokrat të vërtetë në Ballkan“, këshilltari i CDU-së, Martin Henze ka komentuar situatën politike në Shqipëri.
Sipas Henze, presidenti Meta me reagimin e tij të djeshëm e shpjegoi qartësisht çfarë duhet bërë, ndërsa shton se Partia Socialiste dhe opozita duhet të reagojnë.
“Si organi suprem i Kushtetutës, Presidenti i Shqipërisë shpjegoi qartësisht se çfarë duhet bërë. Lideri i Partisë Socialiste Rama dhe opozita t’i përmbahen asaj,”-tha Henze.
Më tej, këshilltari i kancelares gjermane Angela Merkel, thotë se duhet të krijohet qeveria tranzitore, një nga kërkesat kryesore të opozitës.
“Qeveria socialiste duhet të kuptojë se duhet t’i përmbahet Kushtetutës dhe se është e rëndësishme tani për kombin shqiptar që së bashku me një opozitë të zgjedhur demokratikisht dhe me orientim evropian të organizohet një qeveri tranzitore, kështu do mund të stabilizohet shteti dhe të organizohen zgjedhjet vendore”, janë fjalët e zyrtarit gjerman.
Këshilltari i Merkelit ka dhe disa fjalë për Ramën: “Ka marrë fund me çmontimin e demokracisë, kushtetutës, ka marrë fund me zhvillimin e trafikut të drogës, korrupsionit, trafikimit të qenieve njerëzore dhe mungesës së prospektit zoti Rama.”/Hashtag.al