Opozita e bashkuar ka më shumë se 3 muaj në protesta që prej djegies së mandateve më 20 shkurt. Që prej asaj kohe, qytetarët i janë përgjugjur thirrjeve të krerëve të saj për protesta duke zhvilluar 11 të tilla. E sotmja nisi në orën 19:00 ku dhjetëra mijëra qytetarë mbushën Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Në orët e mesditës protestues nga të gjitha qarqet e vendit u nisën drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës. Në një komunikatë për shtyp nga selia blu, thuhej se nga rrethet po vinin më shumë se 60 mijë qytetarë, të cilët do u bashkoheshin protestuesve në Tiranë.
Si herët e tjera, policia e kishte rrethuar kryeministrinë me gardh metalik ndërsa kishte vendosur shumë forca policie të pajisur me maska kundër gazit lotsjellës, që është përdorur thuajse në të gjitha protestat e tjera.
Në fjalën e tij para dhjetëra mijëra mbështetësve që kishin mbushur bulevardin Dëshmorët e Kombit, kreu i PD-së, Basha, lëshoi mesazhe të qarta dhe të prera ndaj kryeministrit, duke i thënë këtij të fundit se përgjigja ndaj letrave të tij ishte protesta e sotme duke i bërë thirje të largohej për t’i hapor rrugën qeverisë tranzitore dhe zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme, të lira e të ndershme. Basha theksoi se zgjedhje me 30 qershor nuk do ketë ndërsa shpalosi ofertën qeverisëse të PD-së për shqiptarët.
Pas fjalës së tij ai i ftoi qytetarët që të ndiznin telefonat celularë dhe të ndriçonin bulevardin duke nisur më pas marshimin drejt Kuvendit. Prej këtu kryedemokrati dhe qytetarët iu drejtuan selisë së PD-së, ku Basha, theksoi edhe njëherë se beteja nuk ka përfunduar ende deri në largimin e Ramës dhe hapjen e rrugës së integrimit të vendit në BE.
Protesta e radhës së opozitës së bashkuar është vendosur të mbahet më 31 maj
Të veçanta nga protesta
Ndryshe nga herët e tjera, sot nuk pati përplasje mes protestuesve dhe policisë dhe nuk u përdor gaz lotsjellës.
Pak pas orës 20:00, Basha, e ndërpreu fjalën për një minutë në çastin e çeljes së iftarit nga besimtarët myslimanë që agjërojnë.