Vendosni fjalën kyçe....

Ofendoi gazetaren, Vokshi: Të shkarkohet Skënder Gjinushi


Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, kërkon shkarkimin e Skënder Gjinushit nga drejtimi i Akademisë së Shkencave, 1 ditë pas zgjedhjes së tij.

Vokshi e konsideron të turpshëm qëndrimin që Gjinushi mbajti ndaj gazetares Enkelejda Mema, të cilën e fyeu duke iu drejtuar me fjalët “Je shumë e eksituar, mjekohu”.

“TË SHKARKOHET SKËNDER GJINUSHI PËR AKTIN E TURPSHËM NDAJ GAZETARES MEMA!!

Gazetarja Enkelejda Mema, u intimidua, u fye dhe u ngacmua seksualisht nga Skënder Gjinushi, gjatë një transmetimi live, pak minuta pas zgjedhjes Kryetar i Akademisë së Shkencave, me votë të urdhëruar direkt nga Kryeministri Edi Rama.

E turpshme, e papranueshme, e dënueshme sjellja intimiduese dhe fyese e ish ministrit të diktaturës Skënder Gjinushi, ndaj gazetares me shumë përvojë Enkeleda Mema.

Në një vend normal, demokratik, Skënder Gjinushi sot, nuk do ishte lejuar të hynte në Akademi. Ministër i diktaturës, me fjalor dhe akte perverse si sistemi diktatorial që i prodhoi, nuk mund e nuk duhet të jetë as anëtar, e jo më të drejtojë Institucionin më të lartë shkencor në Shqipëri.“, shkruan Vokshi.

Ish-deputetja demokrate, u bën thirrje mediave të denoncojnë aktin e fyerjes dhe dhunës verbale dhe psikologjike të ushtruar ndaj gazetarëve kur janë në krye të detyrës.

Vokshi më tej bën thirrje për organizimin e protestave për mbrojtjen e grave nga dhuna.

“I bëj thirrje të gjithë mediave kombëtare e lokale të denoncojnë aktet e turpshme të fyerjes dhe dhunës verbale e psikologjike ndaj gazetares Mema dhe të gjithë gazetarëve në detyre.

Sjell në vëmendje të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, OSBE, Delegacionit të Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, Amnisty International, Reporterëve pa Kufij që raste të tilla ngacmimi seksual janë të dënueshme e të papranueshme.

Sot është dita që organizatat për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe shoqatat e gazetarëve të mos heshtin, por të protestojnë në mbrojtje të koleges gazetare e në emër të respektit e dinjitetit të detyrës së gazetarit.

#ProtestoPërLiritëThemelore
#Gazetarët”Protesto-raporto”

P.s. në foto Skënder Gjinushi kafe me Edi Ramën, një ditë pas zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave.”, shkruan Vokshi, e cila e ka shoqëruar shkrimin e saj me një foto të Gjinushit me kryeministrin Edi Rama, pas emërimit të tij në detyrën e re, si për të treguar se pas rezultatit të zgjedhjeve të djeshme ishte pikërisht ai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *