Sot do të mbahet protesta e radhës kombëtare e opozitës. Protesta do të nisë në orën 19:00 dhe sipas drejtuyesve të opoiztës kjo do të jetë protesta më e madhe e organizuar ndonjëherë gjatë pluralizmit politik në vend.
Kreu i Partisë Lulzim Basha i bëri thirrje dje qytetarëve t’i bashkohen protestës, përmes një videoje mesazhi kryesor i të cilës është se “nuk do të ketë asnjë kthim pas e asnjë kompromis”.
“Të gjithë në Tiranë më 25 maj në orën 19:00, për të treguar vendosmërinë tonë për liri, për demokraci, për zgjedhje të lira e një qeveri nga populli, të popullit dhe për popullin, për Shqipërinë si e gjithë Europa. Asnjë hap pas! #25maj #ShqipëriaSiEuropa”, shkruan Basha.
Kujtojmë se në tre ditët e fundit, kryeministri Edi Rama i ka dërguar Lulzim Bashës tre letra publike ku i kërkon nisjen e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjet e 30 qershorit. Por Basha është shprehur i vendosur se nuk do të ketë asnjë dialog.
Opozita e bashkuar para së gjithash kërkon dorëheqjen e Ramës si kryeministër, krijimin e një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të parakohshme.
Në gatishmëri për protestën janë vënë rreth 1500 efektivë policie. Që prej ditës së enjte, policia ka marrë masat, duke bërë rrethimin e godinave qeveritare. Para tyre u vendosën gardhe metalike.
Shtyllat nga ana tjetër u lyen me graso dhe mbi to janë vendosur kamera me rezolucion të lartë për të pasur nën monitorim protestuesit.
Pak ditë më parë, anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj tha se opozita e bashkuar do zhvillojë protesta pa ndërprerje nga 25 maji deri më 30 qershor.
“Do të jetë protesta më e madhe që ka parë Shqipëria. Do të ketë shumë forma proteste. Do të jetë një protestë afatgjatë Mund të vazhdojë. Dhe nga 25 maj protestat do të jenë pa ndërprerje deri më 30 qershor. Protesta do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Do të protestojnë të gjithë grupet e interesit, të gjithë opozitarët. Kryeministri nuk ka alternativë tjetër.” – tha Biberaj.
Kjo është protesta e 14-të kombëtare e opozitës së bashkuar, duke nisur nga ajo e 16 shkurtit. Protesta e fundit ishte ajo e 13 majit, e cila u shoqërua vetëm nga marshimi dhe risia te ndalesat në 5 institucionet kryesore të vendit: Kryeministria, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Parlamenti, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Policisë së Tiranës. Tek kjo e fundit, pati edhe një incident të vogël, ku disa gurë të hedhur nga protestuesit thyen xhamat e godinës./Hashtag.al