Kryeministrit Edi Rama nuk i mjaftuan katër letrat publike që i ka dërguar kreut të PD-së Lulzim Basha. Duke kaluar nga “Facebook”-u në “Twitter”, Rama ka përdorur një thënie të shkrimtarit rus Leo Tolstoi, për të treguar se është i durueshëm dhe po pret nisjen e dialogut me kryedemokratin.
“Durimi nuk është pritje. S’është të presësh duarkryq. Kjo është përtaci. Durimi është të vazhdosh kur vazhdimi është i vështirë dhe i ngadaltë. Dy luftëtarët më të fuqishëm janë koha dhe durimi”, shkruan Rama.
Kryeministri Edi Rama, i dërgoi pak më herët letrën e katërt radhazi kreut të Partisë Demokratike Lulzim Bashës. Duke iu drejtuar sërish me fjalën “Kryetar”, Rama i kërkon Bashës të ulen në tavolinë për të arritur një marrëveshje për fatin e zgjedhjeve.
I vendosur për të mos dhënë dorëheqjen, Rama i bën thirrje kryedemokratit të harrojë edhe anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
“Bashkë me dorëheqjen time, Ju i dashur Lulzim, duhet të harroni edhe se mund ta nënshtroni shumicën, duke imponuar me dalëmendjen e një pakice në tkurrje, anullimin e zgjedhjeve të 30 qershorit – të cilat nuk i kam caktuar unë po Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nuk i kam në dorë unë, po populli shqiptar.
Nëse Ju s’doni të hyni në zgjedhje se keni frikë nga gjykimi i popullit me votë apo se shihni në bezen e imagjinatës Suaj, një film ku votën e shqiptarëve pa dallim, e zëvendëson molotovi i ndjekësve Tuaj të verbuar a të paguar, kjo është llogaria Juaj e gabuar dhe e drejta Juaj për ta vetëasgjësuar grupimin Tuaj politik duke i besuar kësaj llogarie marroqe. Por Ju duhet ta harroni po ashtu, se mund ta ktheni përmbys logjikën e sistemit demokratik, duke ndjekur logjikën e forcës së dëshpëruar të të humburit, që gabimisht kujton se s’ka ç’humbet tjetër dhe kthehet në të mbyturin që të mbyt!”, shkruan Rama i cili shton se vazhdon të jetë në pritje të nisjes së dialogut.
Letra e katërt e Ramës vjen një ditë pas deklaratave të forta të presidentit të Republikës Ilir Meta, i cili tha se po konsideronte ndryshimin e datës së zgjedhjeve, për shkak të krizës politike.