Ambasada e Bashkimit Europian në Tiranë bën thirrje për protestë paqësore ndërsa thekson në fund të deklaratës se palët politike duhet të ulen në dialog për të gjetur zgjidhjen e rrugëdaljes nga situata aktuale politike.
Në deklaratën e publikuar në llogarinë e ambasadës në Facebook, theksohet se si opozita e bashkuar, ashtu edhe qeveria duhet të garantojnë një protestë paqësore.
“Deklaratë e Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe Ambasadave të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri për protestën e sotme.
Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri respektojnë plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve të Shqipërisë për të demonstruar. Megjithatë, ne përsërisim rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë paqësore.
Ne dënojmë aktet e dhunës që kanë ndodhur në protestat e mëparshme dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të protestës si dhe autoriteteve shqiptare që të sigurojnë që demonstrata e sotme të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Të gjitha palët e përfshira kanë përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e atyre që janë në rrugët e Tiranës sonte. Nuk ka vend për dhunë në një protestë paqësore. Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë përgjegjësinë për të vepruar me vetëpërmbajtje, edhe nëse provokohen.
Për të mirën e qytetarëve shqiptarë, shumica e të cilëve dëshiron të shohë që vendi të bëjë përpara me procesin e reformave dhe të ecë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të mbështeten në ofertën ekzistuese për dialog me synimin për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale politike si një çështje urgjente.”