Edhe pse nuk i është drejtuar në emër, Lulzim Basha në profilin e tij në “Facebook” e ka një përgjigje për Edi Ramën, pas letrës së tij të pestë.
Nëpërmjet një fotoje ku tërheq vëmendjen një pankartë, mesazhi i Bashës për Ramën është i qartë: IK!
“Ne jemi Populli i Europës, ne jemi Populli i Lirisë, ne jemi Populli i Demokracisë. Ne jemi njerëz që besojmë në vlera, besojmë tek dinjiteti i njeriut, besojmë tek familja, besojmë tek atdheu.
Demokracinë nuk e japim, të drejtat dhe liritë tona nuk i dorëzojmë. Beteja për to është misioni më i madh dhe më fisnik i njeriut të lirë. Beteja me të keqen, po e çliron dhe fisnikëron shoqërisë dhe kombit tonë.
Forca jonë është bashkimi, forca jonë është qëndresa, forca jonë është përballja deri në fitoren e kësaj beteje për Shqipërinë si gjithë Europa. Asnjë hap pas! #ShqipëriaSiEuropa”, shkruan Basha.
Rama i shkroi sot Bashës të pestën letër. Në fund dha edhe një mesazh për Presidentin e Republikës Ilir Metën, teksa thotë: “Meqë lajmëruat grumbullimin e radhës në 31 maj, shtabi ynë elektoral vendosi ta spostojë në 1 qershor mitingun e çeljes zyrtare të fushatës – kollaj, nuk ishte një datë si ajo zgjedhjeve që s’e kemi ne në dorë”
Meta deklaroi se ishte i gatshëm të zgjidhte një datë tjetër për zgjedhjet vendore.
Në letrën e pestë Rama shfaqet i shqetësuar për takimet e Bashës me “miqtë gjermanë”, duke e porositur:
“E meqë ra fjala, ata miqtë gjermanë të Shqipërisë në partinë Tuaj simotër, bëni mirë t’i dëgjoni kur Ju sugjerojnë dialog pa kushte, e jo të abuzoni publikisht për të çoroditur dynjanë, duke spekulluar me opinionet e tyre krejt miqësore! Se jo për gjë po ja, erdhi dita kur 61 kandidatët e mijëra këshilltarët e Partisë Socialiste do të jenë në Tiranë, për t’i rënë gongut të vrapimit drejt 30 qershorit dhe pastaj s’mbetet asnjë mik në botë, që të harxhojë më kohë as për opinione miqësore.”