I plagosuri nga atentati në Vlorë, ka qenë një nga shqiptarët më të kërkuar në Greqi. 32-vjeçari Eno Mataj, akuzohej për grabitjen me dhunë të një argjendarie si dhe për vrasjen e një avokati të njohur grek, Michalis Zafiropoulos, ngjarje kjo e ndodhur në Tetorin e vitit 2017 në bashkëpunim me Mikel Brahimajn.
Më vonë në qershor të vitit 2018, Mata gjatë një tjetër grabitjeje la një shënim për policinë, ku thotë se ai është grabitës, por nuk është vrasës.
“Sa i përket çështjes së z.Zafeiropoulos, jemi të dy viktima. Unë di të mbaj përgjegjësinë time. Nëse do ta dija si do të shkonin punët, nuk do të bëhej kështu siç u bë. Po, unë vjedh, por nuk jam vrasës”- thuhet në letër, ndërsa në fund ishte shënimi “Maradona – këmbëshpejti”.
Mataj është rritur në qytetin Arkadia në Greqi dhe ka luajtur futboll me ekipin e atij qyteti. Shokët e tij e thërrisnin “Maradona shqiptar” për shkak të aftësive të tij në futboll.
Kujtojmë se vrasja e avokatit grek ndodhi mbrëmjen e 12 tetorit të 2017-ës në Athinë.
Atentati në Vlorë ka ndodhur pas orës 1:00 në fshatin Poro të njësisë administrative Novoselë, ku dy të rinjtë Eno Mataj dhe shoku i tij Sotiraq (Raqi) Mëhilli, kanë qenë me motor duke shkuar për në shtëpinë e tyre.
Një automjet tip mercedes ka qenë duke i pritur djemtë në një rrugë të fshatit, të cilët janë qëlluar me breshëri kallashnikovi.
Si pasojë e të shtënave ka mbetur i vdekur në vend 22-vjeçari Sotiraq Mëhilli, ndërsa 32-vjeçari Eno Mataj ka mbetur i plagosur. Ky i fundit dyshohet si shënjestra e këtij atentati.
Mataj ka marrë plumba në trup dhe në këmbë. Ai është dërguar për në spitalin e Tiranës për shkak të gjendjes së rëndë shëntetësore.
Policia e Vlorës ka nisur hetimet për gjetjen e autorëve. Rreth 2 kilometra larg vendgjarrjes, policia ka gjetur një automjet të djegur, tip mercedes me targa të vjedhura pranë nën kalimit të fshati Bishan. Në makinën e djegur policia ka gjetur dy armë automatike Kallashnikov./Hashtag.al