Vendosni fjalën kyçe....

Një mesazh tjetër nga “Game of Thrones”


Nga Eden Kollçinaku

Mjafton të ndjekim një serial televiziv si “Game of Thrones”, që të kuptojmë të mirat që na sjell një sistem i demokracisë liberale. Pas përfundimit — të papritshëm — të këtij seriali, një numër i madh opinionesh dhe editorialesh u botuan nëpër mediat ndërkombëtare, por edhe në disa shqiptare. Në historinë e kinemasë, asnjë serial tjetër televiziv nuk ka marrë kaq shumë vëmendje nga politologët dhe opinionistët e politikës. Kjo është veçantia dhe gjithë morali që “Game of Thrones” mundohet të përcjellë tek audienca e gjerë. Në fakt, shumë pak e kuptojnë.

Përgjatë zhvillimit të ngjarjeve, autorët — edhe të serisë së librave edhe të serive televizive — kanë konservuar një element të përbashkët: mungesën e një demokracie liberale. Është shumë interesant fakti, se mungesa e institucioneve të një demokracie liberale është diçka e tmerrshme për një popull të thjeshtë. Mungesa e ndarjes së pushteteve, mungesa e një qeverisjeje të kufizuar dhe mungesa e këtyre institucioneve e kthyen kryeqytetin fiktiv, King’s Landing, në një tokë të shpopulluar dhe të djegur. Tërbimi dhe çmenduria e Daenerys Targaryen ishte diçka që askush nuk e priste; madje, ajo shihej si liderja që do t’iu jepte njerëzve lirinë. E kundërta ndodhi, ajo dogji një qytetërim të tërë vetëm për të arritur qëllimin e saj parësor, që nga episodi i parë. Këtu kthehemi tek pushteti dhe dëshira e sunduesve për pushtet. Është shumë aktuale.

Rasti i Daenerys nuk është i vetmi që tregon dëshirën dhe sakrificën e madhe për pushtet. Disa sezone më parë, një personazh tjetër që kërkonte trashëgiminë e fronit, Stannis Baratheon, sakrifikon vajzën e tij të sëmurë, për të pasur mot të mirë dhe të qëndrueshëm gjatë sulmit me anije. (Këtu hapet edhe një çështje tjetër: feja dhe shteti ishin të pandarë. Besimi tek Zotat e Rinj dhe të Vjetër ishte i domosdoshëm për të gjithë. Kushdo ishte besimtar.)

Pushtetin nuk e kërkojnë vetëm trashëgimtarët, por edhe njerëz jashtë rradhëve. Ai që e portretizon më mirë këtë është Lord Baelish — ose siç njihet ndryshe, Littlefinger. Mënyra e tij për të fituar pushtet ishte intriga. Ai vepronte vetëm, pa asnjë njeri që t’a këshillonte në lidhje me lëvizjet e rradhës. Ai arriti deri aty sa të çonte në luftë miq, motra dhe vëllezër me njëri-tjetrin. Dështimi i tij erdhi nga besimi i tepërt që ai kishte për hapat që po hidhte vetë.

Përveç kërkesës për pushtet, gjatë zhvillimit të ngjarjeve shohim edhe një keqmenaxhim të pushtetit. Përshembull, mbreti Robert Baratheon e përdorte pushtetin e tij për t’u vetëkënaqur, për të ngrënë dhe për të pirë. Kjo gjë vihet re kur një personazh si Twyin Lannister thotë se Robert Baratheoni nuk e kuptonte ndryshimin mes fitores dhe sundimit.

Përfundimi i serialit ishte e kundërta e asaj që shumë persona kishin parashikuar të ndodhte. Një nga mbretëritë shpalli pavarësinë. Mbret u zgjodh dikush që nuk kishte trashëgimtar i fronit. Zgjedhja e Branit si mbret i Uesterosit, për më tepër, u bë në formën e një demokracie indirekte — diçka që indikon se shoqëria mesjetare e “Game of Thrones” po shkon drejt modernizimit, vlerave të lirisë dhe pavarësisë. Kjo është ajo që e bën “Game of Thrones” kaq të përfolur dhe ndryshe nga çdo film/serial tjetër.

Nëse e krahasojmë përfundimin e “Game of Thrones” me përfundimin e Lord of the Rings, të autorit Tolkien, shohim vetëm kontrast. Nëse e keni lexuar ose t’a keni parë triologjinë e filmave te Lord of the Rings, lufta zhvillohet vetëm midis së mirës dhe të keqes. Pra, problemi i Lord of the Rings nuk qëndron tek pushteti, por tek e mira dhe e keqja. Pra, Tolkien na thotë se njerëzit mund të jetojnë të lumtur nëse sundon një njeri i mirë. Gjithë këtë tezë që J.R.R. Tolkien ndërtoi në librat e tij, mund t’a rrëzojë fare lehtë një serial si “Game of Thrones”, i cili është i lidhur me realitetin gati në gjithçka. Nuk mjafton dëshira e një njeriu për të sunduar — qeverisur — mirë. Ngritja e institucioneve, vendosja e ligjeve dhe ndarja e pushteteve janë gjërat më të rëndësishme për  funksionimin e një sistemi të bazuar tek liria e individëve, siç është demokracia liberale.

Nëse Tolkien — përveç tij edhe shumë autorë të tjerë — i la opinionistët politikë pa një përfundim realist dhe pa mesazh, HBO (kompania filmike e “Game of Thrones”) është kujdesur që të servirë fundin më kuptimplotë, për këdo. Kjo është veçantia e “Game of Thrones”; prandaj ky serial televiziv ka marrë kaq shumë vëmendje nga kushdo; prandaj këtë serial mund t’a quajmë një histori suksesi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *