Vendosni fjalën kyçe....

“1 në 3 tendera gjatë qeverisjes së Ramës pa garë, 216 të tjerë konsiderohen sekret shtetëror” – PD


Partia Demokratike e ka cilësuar qeverisjen e kryeministri Rama si më të korruptuarën e 3 dekadave të fundit nëë Shqipëri.

Në një deklaratë për mediat, ish-deputetja Duma, tha se gjatë drejtimit të vendit nga Rama 1 në 3 tendera është dhënë pa garë.

Ajo theksoi se qeveria e Ramës ka klasifikuar si sekret shtetëror 216 tendera me vlerë qindra milionë euro ndërkohë që sekret mund të konsiderohen vetëm tenderat që u përkasin SHISH-it dhe prokurorisë.

Në fund Duma paralajmëroi se cilido që ka vjedhur gjatë qeverisjes së Ramës do mbajë përgjegjësi penale sapo PD të marrë qeverisjen e vendit.

Deklarata

Në ditët e fundit të saj, qeverisja e Edi Ramës mund të përkufizohet me fare pak fjalë: Ajo është qeveria më e korruptuar e tre dekadave të fundit në Shqipëri.

Gjatë drejtimit të vendit nga Edi Rama jo vetëm që 1 në 3 tendera është dhënë pa garë, jo vetëm kontratat koncesionare prej miliona eurosh mbahen të fshehta, por edhe tenderat e Edi Ramës për miqtë dhe klientët e tij janë sekret shtetëror.

Rrjeti investigativ BIRN ka zbuluar se, që kur erdhi në pushtet, qeveria e Edi Ramës ka klasifikuar si sekret shtetëror 216 tendera me vlerë miliona euro.  Fare pak prej tyre janë të tillë që mund të klasifikohen si sekret, ato të Shërbimit Informativ apo të Prokurorisë.

Qindra tendera të tjerë që Edi Rama fsheh janë pjesë e luksit qeveritar, mirëmbajtje godinash, përfshirë kryeministrinë, shërbime qeveritare apo kontrata që kanë të bëjnë me teknologjinë e informacionit.

Pjesë e klasifikimit të kontrave publike si sekret është edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili refuzon t’u japë gazetarëve të BIRN-it të dhëna për tenderat e klasifikuar në mënyrë të paligjshme.

Kjo është e njëjta agjenci, që miratoi projektin e Unazës së Re ku 1 kilometër kushton 20 milionë euro dhe shpalli fitues kompaninë fantazmë të krijuar me dijeninë e qeverisë së Edi Ramës në bazë të dokumenteve të falsifikuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Është skandaloze që tenderat për rrugët apo mirëmbajtjen e tyre klasifikohen si sekret shtetëror. Kjo vetëm shmang llogaridhënien dhe transparencën, duke I fshur publikut abuzimet dhe shkeljet me ligjin.

Partia Demokratike dënon si vjedhje, korrupsion dhe të paligjshme këtë sjellje skandaloze të agjencive qeveritare në varësi direkte të kryeministrit, të cilat fshehin kontratat publike për të justifikuar grabitjen e miliona eurove nga taksat e shqiptarëve në favor të klientëve të Edi Ramës.

Klasifikimi i sekret shtetëror i qindra kontratave publike është cenim i hapur i konkurrencës dhe favorizm i paligjshëm i disa kompanive të tjera. Me fjalë të tjera është vjedhje, është korrupsion.  Kjo është edhe arsyeja përse Edi Rama hesht dhe nuk u jep përgjigje gazetarëve të BIRN-it, kur ata i kërkojnë shpjegime pse gjatë qeverisë së tij tenderat sekret shtetëror janë rritur.

Këto fakte tregojnë sesi  shqiptarët zhvaten dhe  shkretohen, sesi Shqipëria përdoret si pronë personale pa respektuar kushtetutë dhe ligj.

Shqiptarët që po ikin të varfëruar dhe të zhvatur, meritojnë zgjidhje urgjente.

Partia Demokratike është angazhuar për të ndërtuar së pari rregullat e lojës që nisin nga themelet ku gjendet së pari sigurimi i votës së lirë, i zgjedhjes së lirë për të nisur rrugën e merituar të pasurimit dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.

Askush nuk duhet të harrojë se kushdo që ka vjedhur, duke konsideruar sekret shtetëror vjedhjen e Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi penale!

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *