Vendosni fjalën kyçe....

Katër policë të plagosur nga aksioni në veri të Kosovës


Katër policë janë plagosur gjatë aksionit në Veri të Kosovës. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Spitalit të Mitrovicës, Nita Mustafa.

“Për momentin katër policë janë të plagosur por që janë jashtë rrezikut për jetë. Tre prej tyre janë duke u trajtuar në Emergjencë dhe njëri në Kirurgji”, tha Mustafa, citon “Gazeta Ekspress”.

Dhjetëra njerëz, mes të cilëve policë kufitarë janë arrestuar nga aksioni i policisë së Kosovës në Veri.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi thotë se aksioni po zhvillohet kundër krimit të organizuar. Kur ende kishte raportime vetëm për një polic të plagosur, Thaçi tha se i uronte atij shërim sa më të shpejtë.

”Institucionet e rendit dhe ligjit kanë nevojë për besim dhe përkrahje maksimale të tërë shoqërisë në luftën e pa kompromis kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit, në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Shpreh keqardhjen time për plagosjen e policit tonë në krye të detyrës dhe i uroj shërim sa më të shpejt.

Në dekadën e dytë të Republikës së Kosovës s’do të ketë vend për krim të organizuar dhe ata që merren me aktivitete të kundërligjshme do të përfundojnë prapa grilave.

 Operacioni i sotëm policor është në të mirë të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim dhe ftoj komunitetin serb në veri që ta ruajë qetësinë dhe ta përkrah luftën kundër krimit të organizuar. Forcimi i rendit dhe ligjit është jetik për barazinë e gjithë qytetarëve dhe përshpejton lëvizjen tonë drejt procesit të integrimeve euroatlantike! HTH”, ka shkruar presidenti.

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë operacionit policor janë arrestuar zyrtarë policorë të nacionaliteteve të ndryshme si shqiptarë, serbë dhe boshnjakë. Deri më tani flitet për 30 të arrestuar.

Operacioni policor shtrihet në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas.

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *