Vendosni fjalën kyçe....

Merkel dhe Macron përplasen për kryetarin e Komisionit Evropian


Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Emmanuel Macron nuk arritën të bien dakord të martën se kush duhet të jetë shefi i ardhshëm i Komisionit Evropian, ndërkohë që krerët e BE-së po negociojnë rreth emrave në postet më të larta të bllokut për pesë vitet e ardhshme.

Diplomatët thanë se zonja Merkel ishte zhgënjyer nga mënyra se si Presidenti Macron kishte hedhur poshtë me shpejtësi kandidaturën e preferuar të Berlinit, ligjvënësin gjerman të qendrës së djathtë, Manfred Weber.

Të 28 udhëheqësit e BE-së u takuan pas dyerve të mbyllura pa ndihmësit dhe pa telefona celularë.

Zgjedhjet e javës së kaluar për Parlamentin Evropian sollën një parlament me një qendër të copëzuar, ku fituan liberalët pro-BE-së dhe të Gjelbërit nga njëra anë, si dhe nacionalistët euroskeptikë të së djathtës ekstreme në anën tjetër, duke e bërë më të vështirë arritjen e një axhende të përbashkët.

“Ne nuk do të zgjedhim sot zotin apo zonjën Evropë, por thjesht do të bëjmë një bilanc të zgjedhjeve evropiane”, tha kryeministri liberal i Luksemburgut Xavier Bettel.

Zgjedhjet e Bashkimit Evropian që mbahen një herë në pesë vjet, kërkojnë zëvendësimin e krerëve të institucioneve kryesore të BE-së.

Zonja Merkel tha se ajo dëshironte që ligjvënësi Weber të ishte kreu i ardhshëm i Komisionit Evropian, ekzekutivi i fuqishëm i BE-së, pas zotit Jean-Claude Juncker të Luksemburgut, i cili largohet më 31 tetor.

Por Presidenti Macron nuk ishte dakord, duke renditur komisioneren e BE për çështjet e konkurrencës, danezen Margrethe Vestager, negociatorin e bllokut për çështjen Brexit, francezin Michel Barnier dhe socialdemokratin hollandez Frans Timmermans si kandidatë më të përshtatshëm.

Spanja dhe Suedia mbështesin zotin Timmermans, ndërsa Irlanda dhe Kroacia janë për zotin Weber. Luksemburgu dhe Sllovenia mbështesin zonjën Vestager, një nga të paktat gra që konkurrojnë për këtë post.

Udhëheqësit lindorë kërkojnë të ruhet drejtpeshimi gjeografik në zgjedhjen e kandidatëve për postet më të larta.

Kryeministri holandez Mark Rutte, ai grek Alexis Tsipras dhe Charles Michel i Belgjikës, janë ndër disa udhëheqësit të cilët mund të largohen nga posti pas paraqitjes së dobët në zgjedhje. Pozita e dobët e tyre e komplikon më tej debatin për postet e larta dhe kursin strategjik që do të ndjekë Bashkimi Evropian.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *