Gjykata e Tiranës ka vendosur të pushojë hetimet për Kastriot Gjuzin, të akuzuar për vrasjen e Mario Majollarit rreth një vit më parë.
Prokuroria e Tiranës prej disa javësh kishte kërkuar pushimin e procedimit, pasi nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e Gjuzit.
Në seancën e sotme, ishte e pranishme edhe nëna e Majollarit e cila kundërshton vendimim.
“Prisja më shumë nga ky shtet që i doli për zot djalit tim dhe e ktheu. Këta janë të gjithë të korruptuar, çfarë drejtësie është kjo”, është shprehur ajo, citon “Panorama“.
Nëna e Majollarit thotë se do të apelojë vendimin.
Kujtojmë se i riu Mario Majollari u ekzekutua mbrëmjen e 10 prillit rreth orës 20:25, pranë një pike karburanti në zonën e Kinostudios në Tiranë. Policia dyshon se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje, pasi babai i Majollarit është dënuar me burgim të përjetshëm për dy vrasje në vitin 2000.
I ati i tij Avni Majollari ka vrarë A. Nelaj dhe Ilir Gjuzin.
Majollari kishte kërkuar azil në Suedi, pasi kishte frikë se do ta ekzekutonin për hakmarrje.
Kastriot Gjuzi u arrestua në Kosovë, pa kaluar as 48 orë nga krimi i rëndë.