Templates by BIGtheme NET

Taktika mediatike Rama-Veliaj: Gjyshet duhen për mallëngjim, fshati për vota

 

Nga Andy Warhol*

Ky shkrim merr shkas nga një takim i Ramës me një mësuese pensioniste, e cila thurte lavde me ritme folklorike ndaj kryeministrit.

Një ditë një teze e imja më tregon një foto që kishte bërë me Saimir Tahirin duke ma treguar me një dell gëzimi. Unë u habita dhe e pyeta sesi t’i gëzohesh që ke dalë në një foto me një person që akuzohet për përfshirje në drogë. Ajo me një kryeneçësi të theksuar m’u përgjigj që ato janë rrena të Berishës dhe mbronte Tahirin.

Kjo histori më bëri të mendoj shumë për moshën e këtyre Nënokeve. Çfarë janë këto realisht, nga se vijnë dhe çfarë bëjnë aktualisht.

Nënoket që tani bëjnë si njerëz që ju zë fjala peshë, dikur femra që në shumicën e rasteve kanë bërë punët e shtëpisë dhe janë rritur me këngët e Enverit. Pastaj u futën në punë me 3 turne dhe nga shtëpia e prindërve vajtën në shtëpinë e burrit. Pesha e atyre në familje në aspektin financiar ka qenë shumë e ulët kurse në aspektin e edukimit shumë e dobët (mos harrojmë që 83 % e popullsisë ka jetuar në fshat). Shumica të martuara me shkuesi dhe që s’janë puthur ndonjëherë me burrin në sy të fëmijëve. I vetmi argëtim i tyre kanë qenë dasmat.

Me ardhjen e demokracisë këto nënoke mësuan të numëronin deri në 1 milion, pra u bënë shumë mbas lekut. Pavarësisht sesi i bënin lekët fëmijët e tyre ato i kishin sytë e shqyera për lek. Sidomos për lekët e djemve. Në shumë raste fusnin në sherr dhe kalamajtë me njëri -tjetrin sepse nuk ishin të afta të menaxhonin shtëpinë e tyre. Shpesh nofullat ju lëviznin me inat kur diçka s’ju pëlqente. Niveli i marrëdhënies me nipërit në shumicën e rasteve ka qene zero, por dhe kur kishte marrëdhënie kryesisht flitej për prona.

Me plakjen e tyre në moshën 65 vjeç e sipër duke qenë se memoria dhe fiziku i la, Nënoket filluan procesin e shenjtërimit. Ato flasin tani më pak fjalë dhe me më shumë tonacione muzikore. Rrijnë gjithë ditën para televizorit duke parë lajme dhe duke menduar për çdo gjë si hall. Të vetmit që i lehtësojnë janë Erion Veliaj apo Edi Rama, të cilët ju flasin me folklore dhe ju japin lëmoshë. Plus, mediat ju bëjnë emisione me halle dhe ku shpjegohet se kush ia futi kujt sepse dhe ato me këtë janë marrë.

Nënoket shqiptare janë të pamoralshme sepse në vend që të protestojnë që i kanë pensionet 100 euro shkojnë ju bien në qafë kalamajve të tyre që t’i mbajnë me bukë. Dhe nga ana tjetër i puthin dorën Veliajt dhe Ramës që pikërisht “rrjepin” kalamajtë e tyre.  Une nuk arrij ta kuptoj moralin sesi një prind jeton me konceptin që ta mbajë fëmija e vet por si duket Nënoket Shqiptare e kanë normale këtë gjë.

Janë pikërisht këto Nënoke dhe burrat e tyre që sot janë rreth 30% e votuesve dhe që shkojnë si bagëti në kutitë e votimit. Janë pikërisht këto nënoke që dalin në fotografi me Veliajn që ndër të tjeraka arritur të mbajë në ekranet televizive një imazh punëtori të palodhur, ndërsa të gjitha hetimet ndaj aktivitetit korruptiv dhe të dyshimtë të Bashkisë, nënoket nuk i ndjekin dot, pasi këto hetime nuk pasqyrohen në TV.

Nënoket i përkasin formatit informues të periudhës së komunizmit, ku masat informoheshin vetëm nga televizioni zyrtar i partisë, ndaj dhe fakti që në kohët e sotme nuk ka vetëm një televizion, por janë disa të tillë që ndjekin vijën e partisë, udhëheqësit Edi Rama dhe shokut Lali Erit, nënoket janë të bindura se kjo larmi informacioni i informon siç duhet.

Nënoket si mallëngjim, fshati si hambar

Një nga filmat më të shëmtuar të komunizmit është “Zonja nga Qyteti” ku jepet sesi degradohet një qytetare në fshat, si katundarët ia ulin kokën. Madje dhe në momentin që vjen një piktor nga qyteti për t’u njohur me vajzën, të gjithë e tallin. Ky film ordiner është një ndër filmat më të preferuar të popullit tonë.

Shqiptarët duken sikur janë një popull që ka alergji nga ndërgjegjja e vet. Është një popull që në diktaturë ka menduar si gomar dhe si fshatar. Vetëm punë dhe shtëpi. Edhe ata që kanë jetuar në qytet janë treguar indiferentë ndaj elementëve të tjerë. Elementë kryesore si ekonomia ishte një molë e ndaluar  (në filmat shqiptare kush mbante kartmonedha në dorë kishte rol Armiku ose Krimineli).

Duke qenë se Tirana ka qenë një qytet me të ardhur, tipologjia fshatare ka mbizotëruar. Këtë e shikon dhe sot me reformen territoriale ku qytetet janë shndërruar në fshatra të mëdhenj.

Nga një statistikë e INSTAT-it në 2012 në të gjithë qytetet shqiptare përqindja e popullsisë që jeton në fshat është akoma më e lartë sesa në qytet. Vetëm në Tiranë është rreth 52 % në qytet dhe pjesa tjetër në fshat( një ndarje shumë e vogël).

Reforma territoriale hoqi komunat duke i përqëndruar të gjithë popullsinë e një prefekture në një dorë, të kryetarit të Bashkisë. Pra praktikisht për kryetarin e Bashkisë Tiranë vendosin katundet e Tiranës më shumë sesa vetë banorët e Tiranës që vuajnë ose shijojnë të mirat e kryetarit. Kjo po sjell që aktualisht jeta e qytetit është duke u kontrolluar nga fshati, njësoj si tek filmi ordiner i Piro Milkanit.

Shembullin më konkret e shikoje javën e kaluar tek Festivali i RE-së që e organizon bashkëshortja e Erion Veliajt, zonja Ajola Xoxa. Ky festival ishte i mbushur me muzikë tipike rurale. Por të njëjtin fenomen e sheh dhe tek koncertet ordinere që bën Amfiteatri i Liqenit i Blendi Gonxhes ku Tirana e re dhe Bulevardi, të vetmet zona të Tiranës ku mbizoteronte kultura urbane janë mbushur me koncerte të kulturës mesjetare. Ose mund të përmendim dhe karagjozlliqet me homoseksualë të Teatrit Kombëtar.

Erion Veliaj këtë vit do i fitojë zgjedhjet pikerisht se do manipulojë shumicën fshatare, e cila gënjehet me një thes me miell për 4 vjet (një prostitute merr të paktën 50 euro nata). Kështu që atij nuk do i interesojë se si do dali rezultati i Njësisë nr.5 që ka qenë e majtë dhe që nuk është çudi të kthehet e djathtë.

Sepse Bashkinë Tiranë realisht e kontrollon popullata e periferisë rurale.

*VINI RE: Andy Warhol është nofkë/alias. Autori është funksionar publik. Ky shkrim u konceptua enkas për Hashtag.al

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*