Një rus u arrestua gjatë aksionit të djeshëm të Policisë së Kosovës në Veri. Mihael Krasneoschenko u arrestua për shkak se kishte vendosur makinën e tij si barrikadë në mënyrë që të mos kalonte policia në pjesën veriore të vendit.
UNMIK si dhe Ministria e Jashtme e Rusisë kërkuan dje lirimin e tij, por më pas u raportua se kishte marrë disa plagë dhe po trajtohej në spitalin e Mitrovicës.
Mediat serbe kanë publikuar sot një foto gjatë qëndrimit të tij në spital. Krasneoschenko nuk ka pranuar të flasë për rolin e tij në aksionin e djeshëm, duke thënë se nuk mund ta bëjë këtë pa lejen e UNMIK-ut.
Lidhur me arrestimin e tij, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha se mes të arrestuarve ishte edhe një rus i kamufluar si diplomat.
“Ka edhe një rus të arrestuar, që ishte kamufluar nën petkun e një diplomati për të penguar policinë e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Sipas policisë së Kosovës, Mihael Krasneoschenko ishte kamufluar si diplomat në Veri dhe deklaronte se punonte si punëtor i administratës së UNMIK’ut në atë pjesë të vendit.
Por kur policia po kryente operacionin në Veri, ky person ka tentuar t’i pengojë ata.
Arrestimi i rusit ka ngjallur reagime të ashpra në Serbi, ku presidenti Aleksandar Vucic ka thënë se ka informuar edhe Rusinë për këtë arrestim të bërë nga Policia e Kosovës.
Gjatë aksionit të Njësisë Speciale në Veri, rezistencë të armatosur nga serbët ka pasur në Zubçë të Zubin Potokut.