Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku i ka reaguar në mbrojtje të pronarëve të godinave që po shemben te Selvia, në Tiranë.
Përmes një postimi në “Facebook”, ajo shkruan se këtyre banorëve iu ka mbetur buka në gojë, pasi Veliaj iu ka dërguar befasisht fadromat e mbështetura nga forcat e policisë.
“Tek Selvia, në mes të Tiranës, në pikun e qarkullimit të mjeteve dhe njerëzve, në pronën e tyre, në besën e shtetit që i paguan taksat, me buke në gojë, pa u lajmëruar as me gojë as me shkrim.
Erion Veliaj u dërgon fadromat të mbështetura nga forcat speciale dhe rrënon barbarisht pasurinë e qytetarëve të pambrojtur. Dhuna nuk ka kufij ndaj duhet të bashkohemi përpara padrejtësive përpara se prona dhe shtëpia jonë të jetë pre e dhunës diktatoriale të kësaj qeverie.”-shkruan ajo.
Por pas Tabakut ka reaguar kryebashkiaku Erion Veliaj i cili shkruan se ndërtimet janë pa leje dhe po prishen për çlirimin e hapësirave publike.
“Pas Ali Demit, nis çlirimi i Vojo Kushit! Nuk mjaftoi ish-bingo, por ja hipën sipër Vojos, si ai tankut, me kat pa leje e me grykësi që as fashizmi s’e kish! Ta dinte Vojo që do bëhej kurban për llotot e deputetëve të rënë vafti, do e kish menduar dy herë atë punën e tankut”- shkruan Veliaj.