Bashkimi Europian kërkon të shtyjë sërish hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.
“Do të jetë në tetor, derisa të merret një vendim”, tha kryetari i Komitetit të Bundestagut të Evropës, Gunther Krichbaum.
Por nga ana tjetër, Ministri i Shtetit në Ministrinë e Jashtme, Michael Roth (SPD), kërkon një fillim të shpejtë të bisedimeve të pranimit të dy vendeve në BE.
“Tani është radha e BE-së të japë. E kemi dhënë fjalën dhe duhet të mbajmë premtimet tona. Në Maqedoninë veriore dhe në Shqipëri u bë progres i prekshëm.”, thekson Roth në një shkrim të botuar të mërkurën në gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Komisioni i BE synon të rekomandojë të mërkurën hapjen e negociatave për prnaimin e dy vendeve të Ballkanit.
Komisioneri përgjegjës Johannes Hahn i kishte thënë DPA-së në prill se ai priste një vendim pozitiv nga autoritetet e Brukselit pas zgjedhjeve evropiane.
Vendimi përfundimtar megjithatë varet nga vendet anëtare të BE-së dhe mund të ndryshohet më 18 qershor në një takim të ministrave europianë në Luksemburg. Sipas gazetës gjermane, grupi CDU / CSU duan të vonojnë procesin e hapjes së negociatave dhe të kundërshtojnë SPD-në.
Hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE shihet në mënyrë kritike, veçanërisht në Holandë, Danimarkë dhe Francë./Hashtag.al