Një 35-vjeccar është arrestuar në Tiranë, pas akuzave për prodhim dhe tregtim të paligjshëm të akulloreve, jashtë kushteve higjienike.
I arrestuari është shtetasi me inicialet L. H., 35 vjeç, banues në Tiranë ndërsa është proceduar në gjendje të lirë bashkëpunëtori i tij, L. H., 61 vjeç, banues në Tiranë.
Detajet e policisë
Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e prodhimit dhe tregtimit të kundërligjshëm të artikujve ushqimorë, arrestuan në flagrancë shtetasin:
– L. H., 35 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi L. H., 61 vjeç, banues në Tiranë.
Këta shtetas të papajisur me licencë për prodhimin e artikujve ushqimorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, prodhonin dhe tregtonin në mënyrë të kundërligjshme produktin e akullores jashtë kushteve dhe standardeve higjeno-sanitare.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
– Lëndë e parë për prodhimin e akullores
– Dy makineri për prodhimin e akullores
– Ngjyrues boje
– Një sasi e konsiderueshme qumësht pluhur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Prodhimi i kudërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrial dhe ushqimorë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.