Sot pritet të jetë ditë vendimtare për sa i përket transferimit të Eden Hazard drejt Realit të Madridit dhe nuk mund të kishte kohë më të mirë për këtë pas shkëlqimit të belgut në fitoren e Çelsit ndaj Arsenalit në finalen e Ligës së Europës, ku Hazard shënoi një dygolësh.
Sipas spanjolles “AS”, drejtuesit e klubit spanjoll dhe agjenti i lojtarit pritet të takohen për të vendosur hapat e mëtejshëm të operacionit.
Më pas pritet që drejtuesit e Realit t’i bëjnë Çelsit ofertën e tyre të fundit për të lënë të lirë Hazard. Vetë mesfushori ka deklaruar para përfundimit të sezonit se kërkon të largohet nga Anglia për të nisur një aventurë të re.
Tashmë 28 vjeç kjo është mundësia e fundit e tij për të shkuar te një klub i madh dhe Reali është mundësia e vetme duke qenë se nuk ka kërkesa nga ndonjë tjetër emër i madh në Europë, si Barcelona, Bajerni, Juventusi apo PSG-ja ndërsa e ka përjashtuar të luajë për ndonjë ekip tjetër në Angli.