Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Shpend Ahmeti, është takuar me homologun e tij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Në takim është diskutuar mocioni i mosbesimit ndaj kryeministrit Haradinaj, shkruan Koha.net. Sipas Ahmetit, i cili e ka njoftuar takimin në llogarinë e tij në Facebook, gjatë bisedës është diskutuar për koordinimin e aksionit opozitar.
“Sot zhvilluam një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Isa Mustafa. Përveç diskutimit për situatën politike në vend me Z. Mustafa diskutuam për nevojën e koordinimit opozitar në Kuvend dhe për diskutimet për inicimin e një mocioni të suksesshëm të mosbesimit. PSD vazhdon të shprehë gatishmërinë për një partneritet opozitar për nisma të përbashkëta. Pasi që shprehem dhe sqaruam qëndrimet e PSD e LDK në vijim do të intensifikojmë takimet me qëllimin e një dakordimi për strategjinë për rrëzimin e qeverisë.”- ka shkruar Ahmeti në Facebook.
Më herët, lidhur me mocionin e mosbesimit ndaj Haradinajt, Mustafa është takuar me kreu e Vetëvendosjes, Albin Kurti.